Sot, protestë kombëtare! Qytetarët kërkojnë uljen e çmimeve për produktet e shportës

19/03/2022 08:53

Shoqëria civile dhe qytetarët kanë njoftuar se do të mblidhen këtë të shtunë përpara kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës.

Protesta pritet të nisë në orën 11:00, ndërkohë që në terren do të ketë forca të shtuara policia për të ruajtur rendin. Marshimi do të nisë nga sheshi Skënderbej për t’u ndaluar para drejt kryeministrisë. Në rast të mosplotësimit të kërkesave, organizatorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave.

Gardës i është kërkuar të mbyllë hyrjen kryesore të kryeministrisë me dyer të blinduara.

Në zonë do të jenë të pranishëm rreth 500 efektivë dhe 160 anëtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Nuk do të mungojnë as mjetet ujë hedhëse, ndërkohë që policët janë paralajmëruar që të kenë pajisje anti gaz me vete.

Një ditë më parë, disa nga organizatorët e protestës paraqitën kërkesat që lidhen me heqjen e taksës së qarkullimit dhe pezullimin e TVSH-së për produktet bazë të shportës. Si afat të fundit për plotësimin e tyre kanë lënë 19 marsin.

Masat nuk janë të mjaftueshme për përballimin e krizës. Nuk ka garanci që çmimet do të jenë të ulëta në vazhdimësi. Paketa për njerëzit në nevojë është minimale. Kërkesat tona  mbështeten ne tre shtylla kryesore: Ulje e barrës Fiskale, Hetim dhe mbikëqyrje për mirëfunksionim te tregut dhe mbështetje për biznesin dhe shtresat vulnerabël”, tha një nga organizatorët.

Prej disa ditësh në vend janë zhvilluar protesta kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe produkteve të shportës ndërsa qeveria ka prezantuar paketën e Rezistencës Sociale për të ndihmuar në përballimin e situatës.

 

Top Channel