Shullazi ankimoi vendimin për regjimin ’41 Bis’, Kushtetuesja: Izolimi qëndron, por iu shkelën të drejtat gjatë procesit gjyqësor

18/03/2022 10:09

Izolimi i Emiliano Shullazit në regjimin ’41 Bis’ është i vlefshëm dhe qëndron, por procesi i zhvilluar ndaj tij në Apelin e GJKKO i janë shkelur të drejtat themelore Kushtetuese. Ky ishte arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankimin e Shullazit për vendimin për qëndrimin e tij në qelitë e izolimit.

Sipas Kushtetueses “Shullazit iu shkelën të drejtat për proces të rregullt ligjor në Apel” që lidhet me mos-shqyrtimin e akteve sekrete mbi bazën e të cilave Ministria e Drejtësisë vendosi ta çojë atë në regjim posaçëm të izolimit, dhe për shqyrtimin e tyre gjykata refuzoi ta bënte, duke argumentuar se  kjo është sekret.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, arriti të kontaktojë me avokatin e Shullazit, Vladimir Meçe. Sipas Hoxhës, avokati sqaroi se do t’i drejtohen gjykatës së shkallës së parë të posaçme për rishikim të vendimit 41 biss (të parit), ndërsa i dyti (vendimi 41 biss) po shqyrtohet ende në Gjykatën e Lartë.

Vlen të theksohet se vendimi i Kushtetueses nuk ka asnjë pasojë, ndërsa Shullazi do të vijojë të qëndrojë në regjimin e posaçëm “41 Bis”.

Nga shtatori i kaluar, Emiliano Shullazi ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për qëndrimin e tij në regjimin e izolimit “41 bis”.

Ankimimi i Shullazit në Kushtetuese vjen pasi Apeli i GJKKO rrëzoi pretendimet e tij për të dalë nga ky regjim i sigurisë së rreptë.

Prej 1 gusht 2021 Banda e Emiljano Shullazit, por edhe Arbjon Aliko dhe Genci Balla janë në qelitë e izolimit.

Ai është dënuar në dhjetor të 2018-s me 14 vite burg për vepra të ndryshme penale.

Shullazi ndër vite është ndaluar dhe arrestuar disa herë nga policia për kërcënime dhe armëmbajtje.

Në nëntor të vitit 2011, ai u lirua nga burgu, pasi kreu dënimin prej shtatë vjetësh e katër muaj burg për trafik droge.

Për një kohë të gjatë Shullazi është cilësuar si anëtar dhe si drejtues i një grupi kriminal që vepronte në rrugën e Kavajës në Tiranë.

 

 

Top Channel