Konferenca e Kryetarëve të premten vendosi të pranojë kërkesën për mocion për debat për rritjen e çmimeve.

Konferenca, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, shqyrtoi kërkesën për mocion për debat, paraqitur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, z. Enkelejd Alibeaj, në lidhje me rritjen e përgjithshme të çmimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme.

Konferenca vendosi zhvillimin e mocionit për debat në lidhje me rritjen e përgjithshme të çmimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme në seancën plenare të datës 22 mars 2022.

Debati do të zgjasë dy orë.

Po ashtu, nisur nga rritja e çmimeve në vend, Partia Demokratike dhe Grupi i Rithemelimit kërkuan interpelancë më kryeministrin, Edi Rama.

Dokumenti i Grupit të Rithemelimit është firmosur nga 9 deputetë të cilët kërkojnë interpelancë për 3 pika kryesore, paketën anti-krizë, gjendjen e Rezervave Materiale të shtetit dhe Rezervës së Sigurisë së Naftës.

Në kërkesën e bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj thuhet se masat e marra deri më tani nga qeveria janë të pamjaftueshme për familjet që jetojnë në kufijtë e mbijetesës. PD kërkon mbajtjen e mocionit me debat senacën e së enjtes më 17 mars.

Për këtë çështje Lulzim Basha ka prezantuar edhe 3 pika, që sipas tij do të zgjidhnin këtë situatë, si heqja e taksës së qarkullimit që ai quan ‘taksa Rama’, ngrirja e taksave të tjera dhe të akcizës së naftës si edhe TVSH 6% e ushqimit.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama është shprehur se rritja e çmimeve ka ardhur si rezultat i luftës në Ukrainë që është reflektuar në të gjithë botë, teksa si zgjidhje ka sjellë një paketë me 7 pika, që e ka quajtur Paketa e Rezistencës Sociale.

Top Channel