E kishte kthyer lokalin në ambient për lojëra fati, arrestohet pronari dhe klienti në Elbasan

18/03/2022 11:32

Një person është vënë në pranga në Elbasan pasi kishte vënë në dispozicion ambientet e lokalit të tij, për organizimin e lojërave të fatit.

Policia bën me dije se në pranga edhe një klient që u kap duke vënë baste spotive nëpërmjet celularit, në ambientet e lokalit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Celulari”. Si rezultat i këtij operacioni u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. P., 45 vjeç, banues në Elbasan, pronari i lokalit ku zhvillohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit; O. Ç., 27 vjeç, banues në Elbasan, klient në lokalin e shtetasit G. P.

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit G. P., u gjetën dhe u sekuestruan 3 aparate celulare që përdoreshin për vënien e basteve sportive online. Gjatë shoqërimit, ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë.

Materialet u rereferuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” kryer në bashkëpunim, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Top Channel