Shqipëria dënon përdorimin e lajmeve të rreme të Rusisë që mohojnë bombardimin e Konsullatës së Nderit në Kharkiv

17/03/2022 16:09

Shqipëria këtë të enjte ka dënuar përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv.

Në një njoftim për mediat, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se pamjet flasin vetë.

Ky shkatërrim i ambienteve si dhe i dokumenteve në arkiva është një shkelje flagrante e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme për këtë sulm janë të papranueshme!”, citohet nga deklarata.

Më herët, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova mohoi akuzat e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, “se Rusia është përgjegjëse për bombardimin e konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkiv”.

Rusia hedh poshtë me forcë akuzat e Ministrisë së Jashtme shqiptare se forcat e armatosura ruse dyshohet se kanë dëmtuar ndërtesën e konsullatës së nderit të vendit në Kharkiv”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse.

Forcat ushtarake ruse, më 7 mars, u akuzuan nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë si përgjegjëse për bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv.

Shqipëria e dënon me forcë agresionin rus që solli shkatërrimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Autorët do të mbajnë përgjegjësi”.

Top Channel