Qeset shkojnë në Parlament/ Kumbaro tregon fotot: Katastrofë mjedisore me 3.2 miliardë qese në vit

17/03/2022 19:03

Ndryshimet ligjore për ndalimin e qeseve njëpërdorimshe votohen sot në Parlament pasi kanë kaluar në miratimin e komisioneve në Kuvend.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në fjalën e saj ka thënë se po realizohet prioriteti i qartë i qeverisë që në nisje të këtij mandati.

Të gjithë e dimë që këto lloj qesesh shpërndahen pa hesap, falas si për një kokërr mollë dhe për një kokër bostan! Në të gjitha relacionet dhe shpjegimet që kemi bërë në komisionet parlamentare por edhe në daljet tona publike është i qartë objektivi i Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit si iniciuese e këtij ligji. Është po ai prioritet që kryeministri e ka deklaruar në ditën e parë të mandatit të kësaj qeverie: ndalimi i qeseve plastike (pra i atyre kategori qesesh që shërbejnë për qëllime një-përdorimi në supermarkete, markete apo aktivitete tregtie me natyrë të ngjashme) në Republikën e Shqipërisë, si masë e parë reaguese ndaj reduktimit të plastikës një përdorimshe, si masë e domosdoshme për të frenuar dhe pastruar territorin e Shqipërisë nga ndotja e psillëku, për t’u garantuar fëmijëve tanë një Shqipëri të shëndetshme dhe një mjedis miqësor me jetën”, tha gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro.

Mirela Kumbaro sqaroi se amendimet që propozohen synojnë ndalimin e tregtimit, prodhimit, importimit të qeseve plastike mbajtëse sipas përcaktimit të këtij ligji, me trashësi për çdo anë më të vogël se 70 mikron dhe me kapacitet mbajtës më të vogël se 10 kilogram. Njëkohësisht parashikohen gjoba nga 1 deri në 1,5 milionë lekë për ata që tregtojnë, prodhojnë apo importojnë këto lloj qesesh. Duke treguar fotot e ndotjes së shkaktuar nga qeset një përdorimshe, Kumbaro renditi shifra që e bëjnë të domosdoshme këtë iniciativë.

80% e mbetjeve në det, vjen nga toka përmes lumenjve që derdhen në det, 90% e tyre janë plastikë dhe ambalazhe plastike. Me rreth 80.400 ton në vit mbetje plastike të keqmenaxhuara, Shqipëria është një ndër 5 vendet më ndotëse të Adriatikut. Shqipëria ndot me 3.2 miliardë qese plastike, që dmth 3 qese plastike për njeri në ditë, e barabartë kjo me 26.280 ton në vit”, tha Kumbaro duke theksuar se koha mesatare e përdorimit të një qeseje plastike një përdorimshe nga qytetarët është vetëm 12 minuta.

Duke kërkuar mbështetjen e deputetëve për votimin e ndryshimeve ligjore, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit dha një sërë argumentesh për ndalimin e qeseve plastike një përdorimshe. Kumbaro sqaroi se ato nuk degradohen, dëmtojnë rëndë jetën e faunës së egër, nuk janë të lehta për t’u ricikluar për shkak të peshës së papërfillshme që kanë, nuk ripërdoren dhe përhapen me lehtësi kudo në ambient.

Kumbaro kishte edhe një mesazh për deputetët e opozitës, që kanë mbajtur një qëndrim pozitiv gjatë diskutimit në komisionet parlamentare, ndonëse zgjodhën të mos e votonin këtë nismë ligjore.

Kam çmuar sinqerisht fjalët e disa prej kolegëve të opozitës në komisione që e vlerësuan me zë dhe zemër këtë projektligj ndonëse nuk e votuan me votë, më lejoni t’ju bëj një thirrje: Sot në mëngjes apo sonte në darkë, mos harroni, në një kosh do t’i hedhim plehrat, të njëjtin ushqim do të konsumojmë, në të njëjtin qytet i rrisim fëmijët dhe në të njëjtin det do të lahemi në verë! Prandaj, nëse një javë më parë, e gjithë bota u bashkua në Marrëveshjen Globale kundër Plastikës një përdorimshe në gjirin e OKB, ia vlen të bashkohemi në emër të tokës, të detit, të ushqimit dhe të ajrit që ndajmë bashkë pa vote. Sepse të gjitha këto nuk i kemi trashëguar nga askush por ua kemi marrë borxh fëmijëve tanë të cilëve duhe t’ua kthejmë të pastra“, përfundoi fjalën e saj Kumbaro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA