Kërcënoi me “kallash” punëtorët e një firme ndërtimi, arrestohet 48-vjeçari në Tiranë

17/03/2022 15:45
Foto ilustruese

Një 48-vjeçar ra në prangat e policisë pasi kërcënoi me armë punëtorët e një firme ndërtimi.

Në një njoftim për mediat, policia tha se pas një konflikti në ambientet e një kompleksi, arritën të organizonin punën dhe finalizuan me sukses operacionin e koduar “Prevention”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit me inicialet L.L., 48 vjeç, banues në Tufinë për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Mësohet se 48-vjeçari gjatë një konflikti për motive pronësie, në ambientet e një kompleksi, ka kanosur me armë zjarri, punëtorët e një firme ndërtimi.

Në cilësinë e provës materiale, tregon policia, u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel