Me qindra euro dyshohet të kenë marrë si ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, policët dhe doganierët që u arrestuan të hënën (14 mars) në Komunën e Gjakovës dhe atë të Prizrenit.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për 25 të pandehur – zyrtarë policorë dhe doganorë – të cilët dyshohen për “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata që të caktojë masën e paraburgimit prej një muaji për 50 zyrtarët policorë dhe doganorë, të ndaluar më 14 mars.
Vendimi për pjesën tjetër do të merret të mërkurën, 16 mars.
Avokati i njërit prej të pandehurve, Agon Rrecaj e ka cilësuar si të pabazuar kërkesën për paraburgim, pasi sipas tij, Prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë apo dëshmi tjetër për të dëshmuar ekzistimin e ndonjërit prej kushteve të veçanta për caktimin e masës së paraburgimit.
“Ta keni parasysh se, Prokuroria, si arsye për caktimin e kësaj mase e cilëson rrezikun e përsëritjes së veprës penale, ndërsa ne fakt të gjithë zyrtarët policorë tanimë veçse janë të suspenduar nga puna, prandaj si është e mundur që të njëjtit të përsërisin veprat penale kur janë të suspenduar nga puna, përfshirë vetë klientin tim? Sa i përket provave që i posedon Prokuroria, mbetet që ato të vlerësohen në fazat e mëtutjeshme të procedurës”, tha avokati Rrecaj për Radion Evropa e Lirë.
Klienti i tij, polici A.TH, dyshohet për kryerjen e veprave penale: pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje e ryshfetit.
Ai dyshohet për marrje të ryshfetit me qëllim që t’iu mundësonte qytetarëve të ndryshëm kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas kërkesës për vendosjen e masës së paraburgimit, thuhet se të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policorë dhe doganorë, prej muajit shkurt deri në muajin dhjetor të vitit 2021, në pikën kufitare Qafë Prush (pika kufitare me Shqipërinë), duke vepruar në mënyrë të organizuar apo edhe individualisht, me qëllim të përfitimit material për vete dhe të tjerët, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, duke iu mundësuar që të hyjnë në territorin e Kosovës përmes shmangies së pagesave të tarifave doganore.
Sipas kërkesës për paraburgim të policëve dhe doganierëve të pikës kufitare Qafë Prush, të cilën e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, rastet kur policët janë “shpërblyer” me nga 20 ose 50 euro ishin të shpeshta. Por, nuk mungonin as rastet kur policët kanë marrë nga 100 euro e deri në 400 euro.
E gjithë kjo për të lejuar kontrabandimin e lëndëve narkotike dhe mallrave të ndryshme. Policët kufitarë kanë marrë para edhe për t’i lejuar qytetarët që të hyjnë në Kosovë në kundërshtim me masat e vendosura nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Më poshtë mundë të lexoni disa pjesë të akuzave të cilat rëndojnë mbi 24 të pandehurit:
Ryshfeti në pikën e “Qafë Prushit”
“A ka ndonjë kafe?”
Kjo pyetje u ishte bërë qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës gjatë vitit të kaluar, të cilët kanë kaluar përmes pikës kufitare në Qafë Prush në Komunën e Gjakovës.
Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, njëri nga policët e arrestuar, me inicialet U.M, dyshohet të ketë pyetur një qytetar: “A ka ndonjë kafe a ndonjë send për këta burra a jo?”.
Shoferi i një kamioni të vogël me ngjyrë të gjelbër, kishte pranuar kërkesën e policit dhe dyshohet se u ka dhënë para zyrtarëve policorë.
Dy muaj më herët, më 28 gusht pas orës 19:00, një veturë me ngjyrë të zezë ishte ndalur te kabina ku qëndronte polici A.TH, dhe i kishte thënë “i ke në librezë”, ku dyshohet t’ia ketë lënë 300 euro.
Pak minuta më vonë, aty kishte ardhur një veturë tjetër e tipit “Ford”, ngjyrë hiri, që kaloi shpejt pa u kontrolluar fare.
Nuk vonoi shumë dhe në të njëjtën pikë kufitare u ndalua një furgon i bardhë, që dyshohet se transportonte 500 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.
Dyshohet se shoferi ua kishte dhënë nga 100 euro tre policëve që ishin në ndërrim.
Sipas kërkesës për paraburgim, më 15 tetor 2021, policët tani të dyshuar, S.H dhe A.P, kishin marrë nga një qytetar 400 euro, në mënyrë që të lejonin futjen në Kosovë të disa pajisjeve për ashensor.
Sipas Prokurorisë, një banor i fshatit Runik të Komunës së Skenderajt, për të futur 10 arka me kërpudha në Kosovë, dyshohet se i kishte dhënë para policit kufitar A.TH, derisa ai ishte në kabinë për kontrollimin e pasaportave. Ai kishte marrë paratë me dorën e djathtë dhe pastaj e ka regjistruar qytetarin dhe ia ka lejuar hyrjen në Kosovë duke mos iu nënshtruar procedurave doganore.
Për pak orë, mbi 200 euro ryshfet
Njëri nga policët e arrestuar, me inicialet B.K, brenda një ditë – derisa ishte në ndërrimin e natës – kishte marrë mbi 200 euro ryshfet.
Më 17 tetor të vitit të kaluar, ai e kishte nisur ditën duke marrë 20 euro ryshfet.
Më vonë, duke lejuar kontrabandimin e kërpudhave, ai kishte marrë edhe 100 euro të tjera.
Pas orës 21:00, duke lejuar kontrabandën e kërpudhave, polici B.K, kishte marrë 105 euro nga një shtetas i Shqipërisë, dhe i kishte ndarë me kolegët S.ZH dhe M.B.
Sipas Prokurorisë, një polic tjetër kishte marrë 10 euro nga një qytetar, i cili po transportonte shampon, mbrojtëse për telefon, mbushës telefoni etj.
Me vetëm 1.5 euro qytetari nga Shqipëria A.C, i kishte bindur policët kufitarë që të hynte lirshëm në Kosovë, pasi të njëjtit i kishin kërkuar diçka për të pirë ose për të ngrënë.
Policët e arrestuar, disa herë kishin pranuar të holla duke vepruar në kundërshtim me kushtet për hyrje në Kosovë, sipas masave kundër pandemisë COVID-19.
Më 8 dhjetor 2021, një shtetas i Kosovës ua kishte dhënë 200 euro policëve kufitarë për kontrabandimin e mallrave që dyshohet të ishin maska dhe pajisje teknologjike.
Ndërkaq, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimi për këtë rast ka nisur një vit më parë ndaj 68 personave dhe disa persona janë ende në arrati, përfshirë edhe shtetas të Shqipërisë.
Në mesin e të arrestuarve, sipas IPK-së, janë dy togerë policorë, pesë rreshterë dhe dy zyrtarë doganorë.
Ky operacion i IPK-së, sipas autoriteteve, është përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.
Top Channel