Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ishte sot në gjimnazin “Haxhi Qehaj” në Rrogozhinë, ku pati një bashkëbisedim, shkëmbim mendimesh e sugjerimesh me maturantët të këtij gjimnazi.
“Pas një takimi shumë të frytshëm me maturantët e gjimnazit ‘Haxhi Qehaj’ në Rrogozhinë, të cilët më dhanë mendime dhe sugjerime me vlerë në lidhje me organizmin e procesit të Maturës Shtetërore 2022”, shkruan ministrja në rrjetin e saj social.
Gjatë këtij takimi ministrja Kushi u shpreh se Ministria e Arsimit dhe Sportit është përpjekur të marrë të gjitha masat që të parandalojë çdo problematikë që është shfaqur vitet e kaluara.
Gjithashtu ajo tha se do të tregohet vëmendje maksimale që testi të jetë në përputhje me programin dhe në nivel vështirësie të pranueshme nga të gjithë, duke patur shumë kujdes që maturantët e shkëlqyer të mos penalizohen, si dhe të reflektojë ato tema që kanë bërë në tre vite.
“Këto muaj që kemi përpara janë shumë të rëndësishëm. Ju do të punoni edhe me programet orientuese dhe me testet model që keni dhe ato që do t’jua vendosim në dispozicion. Mësuesit tuaj do të vijojnë t’ju orientojnë dhe do të jenë mbështetës për ju”, u shpreh ministrja.
Ministrja Kushi vuri theksin tek rëndësia e vazhdimësisë në zbatimin e rregullave anti-Covid, edhe pse gjendja tashmë është drejt stabilizimit të plotë.
Top Channel