Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar në lidhje me informacionet se jahti i miliarderit rus Roman Abramovich ndodhet në ujërat shqiptarë.
Nga verifikimet e kryera në sistemet e monitorimit të trafikut detar “Marine Traffic”, rezulton se anija “Solaris” është nisur nga Porti turistik Marina Montenegro në Tivat tw Malit tw Zi dhe po lëviz për në jug drejt Detit Mesdhe.
Ai aktualisht është duke lundruar në ujërat ndërkombëtare, midis Italisë dhe Shqipërisë, në drejtim të Jugut dhe nuk ka ndaluar apo hyrë në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë.
“Lidhur me lajmin e publikuar sot në media, për hyrjen në ujërat territorialë të Republikës së Shqipërisë, të një mjeti lundrues në pronësi të shtetasit rus, Roman Abramovich, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se: Nga verifikimet e kryera në sistemet e monitorimit të trafikut detar “Marine Traffic”, rezulton se mjeti lundrues “Solaris” është nisur nga Porti turistik Marina Montenegro në Tivat, Mali i Zi dhe po lëviz për në jug drejt Detit Mesdhe. Mjeti lundrues i mësipërm, aktualisht është duke lundruar në ujërat ndërkombëtare, midis Italisë dhe Shqipërisë, në drejtim të Jugut dhe nuk ka ndaluar apo hyrë në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë”, sipas njoftimit të ministrisë.
Të dhënat e gjurmimit të anijes “Refinitiv” treguan se jahti 600 milionë dollarësh “Solaris” ishte duke lundruar jashtë ujërave detare të Shqipërisë të martën në mëngjes.
Kujtojmë se miliarderi rus është përfshirë në listën e zezë të sanksioneve të BE dhe SHBA-ve, pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë.
Top Channel