Sezoni aktual vijon të përmirësohet ndeshje pas ndeshje për sulmuesin e Real Madrid, Karim Benzema.
Francezi ishte sërish thelbësor për Los Blancos në sfidën e mbrëmshme të La Liga, ku të besuarit e trajnerit Carlo Ancelotti triumfuan me rezultatin 0-3 në transfertë ndaj Mallorcas.
Benzema shënoi një dygolësh ndërsa asistoi edhe për Vinicius Junior, ndërsa në këtë sezon ka mbërritur në kuotën e 32 golave në të gjitha kompeticionet duke barazuar edhe rekordin personal të sezonit 2011-2012. Por, falë dygolëshit ndaj Mallorcës u regjistrua edhe një tjetër arritje domethënëse për Benzema, pasi tashmë 34-vjeçari është lojtari francez që ka shënuar më shumë gola duke lënë pas një legjendë si Thierry Henry.
Aktualisht, Benzema është në kuotën e 413 golave ndërsa Henry u ndal në shifrën 411. Ndërkohë, nëse mban këtë ritëm, atëherë Benzema shumë shpejt mund të mbërrijë edhe Raul Gonzalez si golashënuesin e dytë më të mirë në historinë e Real Madrid, teksa futbollisti francez aktualisht me fanellën e bardhë ka shënuar 311 gola, ndërsa ish-lojtari spanjoll është ndalur në 323 realizime për madrilenët.
Top Channel