Rusia i kërkon armë Kinës, SHBA kërcënon Pekinin: Mos guxoni ta ndihmoni

14/03/2022 13:29

Rusia i ka kërkuar Kinës pajisje ushtarake pasi duket është në vështirësi me armatimet gjatë avancimit të saj të ngadaltë në Ukrainë, pohojnë zyrtarë amerikane.

Nuk ka ende detaje mbi llojet e armatimeve që janë kërkuar dhe nuk dihet nëse Pekini është vënë vërtet në lëvizje për të furnizuar qeverinë e Vladimir Putinit- por kërkesa në vetvete ka ngjallur shqetësim të madh mes qeverive perëndimore. Financial Times raportoi i pari se  SHBA po i lajmëronte aleatët e saj se Kina mund të përgatitet të ndihmojë Rusinë. Zyrtarë amerikanë, të cilët gjithashtu kanë preferuar të mos identifikohen, thanë se ka shënja që tregojnë se Rusisë po i mbarojnë disa lloje armatimesh, e kjo, në një kohë kur lufta është vetëm në javën e saj të tretë.

Moska, e cila e quan ndërhyrjen e saj në Ukrainë një ‘operacion special’ dhe jo një pushtim apo luftë, ka forcuar bashkëpunimin me qeverinë komuniste të Xi Jinping pasi të dy vendet janë vendosur nën një presion të fortë perëndimor mbi të drejtat e njeriut dhe një sërë çështjesh të tjera. Pekini nuk e ka dënuar sulmin e Rusisë dhe nuk e quan atë një pushtim, por ka kërkuar një zgjidhje të negociuar.“Kina është thellësisht e shqetësuar për situatën në Ukrainë”, tha Liu Pengyu, zëdhënësi i ambasadës kineze në Uashington, duke shtuar se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë informacione se vendi i tij mund të jetë i gatshëm të ndihmojë Rusinë.

“Ne sinqerisht shpresojmë se situata do të qetësohet dhe paqja do të kthehet shpejt”, u shpreh ai. Pritet sakaq një takim mes këshilltarit të Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan në Romë me kryediplomatin kinez Yang Jiechi. Sullivan e ka paralajmëruar hapur Kinën që të shmangë ndihmën për Rusinë që do t`i lejonte zbutjen e sanksioneve globale që kanë goditur ekonominë ruse. “Ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë,  u shpreh ai, në të kundërt edhe Kina duhet të bëjë llogaritë me pasojat e veprimit të saj.

Top Channel