Raundi i katërt i bisedimeve shtyhet të martën, Rusia vazhdon të sulmojë Ukrainën

14/03/2022 16:35

Raundi i katërt i  bisedimeve Rusi-Ukrainë  do të vazhdojë të martën, njoftoi këshilltari presidencial ukrainas, Mykhaylo Podolyak.

“Deri nesër do të ketë një pushim teknik në negociata. Për punë shtesë në nëngrupet e punës dhe sqarimin e përkufizimeve individuale. Negociatat vazhdojnë…”, shkroi ai në Twitter.

Pala ruse dhe ajo ukrainase mbajtën të hënën raundin e 4 të negociatave përmes një lidhjeje videoje  , ndërsa negociatori ukrainas tha se dialogu  është i fokusuar  në vendosjen e një armëpushimi dhe tërheqjen e trupave ruse, e pas kësaj mund të flitet për marrëveshje politike.

Tre raundet e para të bisedimeve mes palëve në Bjellorusi dhe një takim i ministrave të jashtëm të dy vendeve në Antalia të Turqisë rezultuan pa sukses.

E ndërkohë që bisedimet e raundit të katërt ishin në zhvillim bombardimet vazhduan në Kiev duke i marrë jetën të paktën një personi.

Deri më tani Ukraina është treguar e hapur të negociojë duke theksuar se dorëzimi nuk është në planet e tyre.

Presidenti Volodymy Zelensku po ashtu tha se ekipet e tij po punojnë për të rregulluar një takim të tij me Vladimir Putin, në mënyrë që të arrihet paqja.

Rusia ka kërkuar më herët që Ukraina të ndryshojë kushtetutën e saj për të ruajtur neutralitetin në mënyrë që të mos bashkohet dot me NATO-n apo BE-në,  si dhe të pranojë Krimenë si territor rus e të njohë Donetskun e Luhanskun si territore te pavarura.

Leonid Slutsky, një anëtar i ekipit negociator të Rusisë, i tha rrjetit televiziv shtetëror RT se po shohin përparim në negociata.  “Sipas pritshmërive të mia personale, ky progres mund të shndërrohet në ditët në vijim në një qëndrim të përbashkët të të dy delegacioneve dhe ne firmosje dokumentesh”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA