Për shtatë orë SHBA zhvilloi bisedime “intensive” të nivelit të lartë me Kinën një përpjekje kjo për të penguar Pekinin të furnizojë me armë Rusinë, duke ja bërë të qartë pasojat e një lëvizje të tillë.
Takimin, i cili u mbajt në Romë, Shtëpia e Bardhë e sheh si jashtëzakonisht të rëndësishme jo vetëm për luftën në Ukrainë, por edhe për të ardhmen e ekuilibrit të fuqisë globale.
SHBA ka informacione që tregojnë se Kina ka shprehur njëfarë pohimi për t’i ofruar Rusisë ndihmën e kërkuar ushtarake dhe financiare. Por nuk është ende e qartë nëse Kina synon t’i ofrojë Rusisë ndihmë ushtarake ose financiare si pjesë e luftës së saj kundër Ukrainës, thanë për CNN zyrtarë amerikanë të njohur me inteligjencën.
Zëdhënësja e shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, pas mbarimit të takimit tha:
“Ajo që ne kemi përcjellë dhe ajo që është përcjellë nga Këshilltari ynë për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan, në këtë takim është se, nëse Kina ofron ndihmë ushtarake për Rusinë, që sigurisht shkel sanksionet ose mbështet përpjekjet e luftës, do të ketë pasoja të rënda”.
Dy zyrtarë thanë se dëshira e Kinës për të shmangur pasojat ekonomike mund të kufizojë dëshirën e saj për të ndihmuar Rusinë. Megjithatë mundet që Kina të ofrojë ndonjë lehtësim ekonomik dhe diplomatik për Rusinë në forma të tjera, si vota abstenuese në OKB.
Takimi i Romës ishte planifikuar që përpara pushtimit rus dhe ku u diskutuan edhe tema të tjera, duke përfshirë arsenalin bërthamor të Koresë së Veriut dhe Tajvanin.
Top Channel