Një luftë kudo në botë, sipas perceptimit të tregjeve ndërkombëtare është luftë në çdo vend.

Në këtë mënyrë shpërthimi i luftës në Ukrainë sipas ekspertëve menjëherë i çon tregjet në panik, ndërsa çmimet absurde nuk po kursejnë asnjë vend.

Në Amerikë çmimi i një galoni nafte arriti në nivelin rekord të 6 dollarëve, në Britani në rekordin e mbi 1.7 paundëve.

Këto vende janë prekur edhe pse Amerika importon vetëm 2% naftë dhe gaz rus, ndërsa Anglia vetëm 6% sipas BBC, nivele gati të papërfillshme.

 “Sigurisht presioni psikologjik që i bëhet tregjeve në kushtet kur mendohet se do ketë mungesa furnizimi në treg bën që edhe çmimet të shkojnë në stratosferë. Vendi ynë duhet të shikojë mundësinë e diversifikimit të furnizimit me kontrata afatgjata”, tha Igli Tola.

Çmimi i naftës në Shqipëri gjithashtu ka arritur në nivele rekord. Eksperti Tola mendon se duhet të rishikohen taksat, sidomos ajo e akcizës dhe qarkullimit që rëndojnë edhe më shumë mbi çdo litër

 “Unë sugjeroj të vendoset taksë për konsum, jo një fikse”, shtoi ai.

Sipas tij vendosja e çmimit tavan, siç po veprohet nga qeveria jonë dhe ato të rajonit, nuk është zgjidhje

 “Nëse nuk shoqërohet edhe me masa të tjera operatorët ekonomikë do të falimentojnë, sepse ata nuk mund të operojnë për një kohë të gjatë duke dalë me humbje. Mënyra më e mirë është rimbursimi duke i dhënë pagesa njerëzve dhe disiplinimi i tregjeve”, tha Tola.

Çmimet absurde të karburanteve, kryesisht gazit po vijnë me kosto të rënda edhe te çmimi i energjisë elektrike. Qeveria është shprehur se kjo barrë po mbulohet për konsumatorët dhe bizneset e vogla, por ato të mesme dhe të mëdha po paguajnë dy deri në trefish më shumë.

Top Channel