Takimi i rrallë me liderëve turk e grek, Erdogan i tregon pamjen nga Bosfori Mitsotakisit

13/03/2022 22:14

Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan i tregoi pamjet e Bosforit, kryeministrit grek Mitsotakis para fillimit të një dreke të rrallë mes fqinjëve që ka zgjatur gati dy orë në pallatin presidencial në Stamboll.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve mes tyre për kufijtë detarë, burimet energjetike, statusin e ishujve të Egjeut, çështjen qipriote dhe emigracionin , takimi i shumëpërfolur, nën hijen e luftës Rusi-Ukrainë, është zhvilluar në një klimë të ngrohtë.

“Me gjithçka që po ndodh, ne kemi shumë për të diskutuar në lidhje me rajonin tonë”, tha kryeministri grek.

“Po, ne do ti diskutojmë të gjitha tani”, u përgjigj presidenti turk.

Dy aleatët e NATO-s, që vazhdojnë të kenë marrëdhënie të tensionuara lidhur me pretendimet për kufijtë detarë dhe jo vetëm, kanë premtuar të ulin tonet në lidhje me pozicionimet që ndajnë në çështjet dypalëshe, duke dhënë një kontribut për paqen e sigurinë në rajon.

Mitsotakis dhe Erdogan ranë dakord që në prill pasi të rindërtojnë të ashtuquajturat “masat e mirëbesimit” në Ankara,  të mbajnë në Selanik në shtator, Këshillin e Lartë të Bashkëpunimit të dy vendeve, ndërsa gjatë kësaj kohe të bashkëpunojnë për krijimin e korridoreve humanitare në Ukrainë.

“Ne sot hodhëm themelet për një epokë më të qetë në marrëdhëniet mes dy vendeve, për përmirësimin e tyre dhe kryesisht për të bashkëpunuar për çështjet e mëdha  në mënyrë që të përballojmë të gjitha sfidat”,  kanë theksuar dy liderët.

Presidenca turke në njoftimin e saj bën fjalë për një dialog të ndershëm mes tyre, duke theksuar ndër të tjera se hapi rrugë bashkëpunimi, përmirësoi marrëdhëniet, pavarësisht mosmarrëveshjeve, la ndjesinë e përparimit në problemet e Egjeut, minoriteteve, terrorizmit, emigracionit ilegal dhe synoi që shkëmbimet tregëtare të arrijnë në 10.

Top Channel