Bruceloza është rishfaqur këtë vit në një fermë me gjedhë në bashkinë e Memaliajt.

Sëmundja zonoze që ka qenë tradicionalisht prezente në qarkun e Gjirokastrës shënoi vatrën e parë për këtë vit me 5 krerë të infektuar nga rreth 40 që ka tufa. Kampionet e gjakut u konfirmuan si pozitive edhe nga ISUV ndërsa ferma është futur në karantinë. Kreu i shërbimit veterinar megjithatë njoftoi se situata nuk përbën rrezik për popullsinë pasi rasti është i izoluar dhe nën kontroll. Gjedhët e infektuar nuk mbarështoheshin për qumësht por vetëm për mish.

Bruceloza ose melitenca njihet për transmetimin tek njeriu dhe personat e infektuar kthehen në të sëmurë kronikë. Shërbimet garantojnë se nuk ka raste të reja të infektimeve të  qytetarëve por ka raste të të sëmurëve kronikë.

Vitin e kaluar në të gjithë qarkun u regjistruan 4 zona të infektuara me brucelozë por rastet lidhen kryesisht me ferma të vogla me numër të kufizuar krerësh. 28 fermat e gjedhëve që furnizojnë me qumësht punishtet dhe konsumatorët rezultojnë të pastra. Qarku i Gjirokastrës, qarku më i madh blegtoral në vend ka të matrikulluar rreth 260 mijë krerë të imëta dhe 12 mijë gjedhë, përveç shtesës periodike vjetore.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA