Mario Teran, ushtari bolivian që në tetor të 1976 qëlloi me armë zjarri mjekun argjentinas dhe revolucionarin Ernesto “Che” Guevara vdiq në moshën 80-vjeçare.

Ish-gjenerali, Gary Prado, komandanti i grupit që kishte plagosur dhe kapur liderin revolucionar pas disa muajsh kërkime, i tha Radio Companera se Teran ndërroi jetë pas një sëmundje të gjatë. Duke folur në lidhje me episodin më të njohur të karrierës së tij, Prado tha se “Teran thjeshtë kreu detyrën e tij si një rreshter ushtrie”.

Mario Terán

“Che” Guevara ishte një nga figurat më të famshme të revolucionit kuban, i cili në vitin 1959 çoi në rrëzimin e diktatorit Fulgencio Batista dhe krijimin e mëvonshëm të shtetit socialist nën udhëheqjen e Fidel Kastros.

Në vitet në vijim Guevara u largua nga Kuba në përpjekje për të drejtuar kryengritjet e tjera në disa vende të Afrikës dhe Amerikës së Jugut, por më pak të suksesshme. Ai u vra në moshën 39-vjeçare, më 9 tetor të vitit 1976 në La Higuera të Bolivisë, një ditë pasi u plagos dhe u kap nga një njësi anti-guerile e ushtrisë boliviane, ndihmuar edhe nga forcat speciale amerikane.

Mësohet se qeveria amerikane, e cila kishte arritur të infiltrojë një agjent të CIA-s në ushtrinë boliviane, dëshironte që Guevara të ishte gjallë dhe të merrej në pyetje, ndërsa udhëheqësit bolivianë vendosën që ai të vritej, me qëllim shmangien e një simpatie në lidhje me të që mund të krijohej gjatë një procesi gjyqësor. Versioni zyrtar i historisë ishte se “Che” Guevara u vra në betejë.

Në mëngjesin e 9 tetorit, agjenti i CIA-s, amerikano-kubani Felix Rodribuez, arriti të flasë me Guevaran dhe i tha se shumë shpejt do të vritej. Në një intervistë të dhënë disa vite më vonë, Rodriguez tha se Guevara i tha se “ishte më mirë kështu” dhe se “ai nuk duhet të ishte kapur kurrë i gjallë”.

“I dhamë dorën njëri-tjetrit dhe u përqafuam”, tha Rodriguez. Më pas, para se të dilte nga dhoma, oficeri urdhëroi Teran ta qëllonte në gjoks, në një mënyrë të tillë sikur ishte vrarë në luftë.

Rreshteri Teran, vite më vonë, u tha gazetarëve se “ishte periudha më e keqe e jetës sime”.

“Ishte një trup i madh, sytë e tij shkëlqenin fort dhe në një moment më nguli shikimin dhe më çorientoi”.

Referuar biografisë së gazetarit Jon Lee Anderson, “Che” Guevara i tha Teran-it se ai e dinte se ndodhej aty për ta vrarë.

“Unë u tërhoqa pak, mbylla sytë dhe qëllova”, tregoi Teran. Ai e goditi në krah, këmbë dhe në fund në gjoks.

Trupi i tij i pajetë u tregua para gazetarëve në fshatin bolivian të Vallegrande. Më pas, u varros në një vend të fshehtë, i cili u zbulua më vonë gjatë një ekspedite të financuar nga qeveria e Bolivisë në vitin 1997. Eshtrat e tij u varrosën në Kubë me një ceremoni shtetërore.

Top Channel