Nafta, qeveria kontroll çmimit/ Rama: Kush shet më shtrenjtë, do humbasë pikën e karburantit

11/03/2022 15:04

Situatat emergjente siç është edhe rritja e çmimit të naftës ditët e fundit, kërkojnë zgjidhje emergjente.

Këtë ka bërë qeveria shqiptare duke tentuar të frenojë rritjen e çmimit të karburanteve përmes një bordi të përbashkët me tregtarët e karburanteve nga ku çdo ditë do të dakordësohet paraprakisht e më pas të bëhet publik çmimi.

Ne do të kalojmë brenda 24 orësh një akt normativ me fuqinë e ligjit dhe qeveria do të hyjë në administrimin e furnizimit, bashkë me ju, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant dhe çdo ditë ju dhe qeveria, pra përfaqësuesit e qeverisë dhe konkretisht ministrja e Financave, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtori i Tatimeve, drejtori i Doganave dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, do të jenë në tryezë me 5 përfaqësues nga ju, zgjidhini ju, nuk ka asnjë problem, e nuk do ketë asnjë tabelë në asnjë pikë karburanti ku do të shfaqet një çmim që nuk është miratuar nga bordi. Nëse dikush do ta bëjë këtë, do të humbasë pikën e karburantit, shumë e thjeshtë”, tha Rama.

Protestuesve poshtë dritares së tij kryeministri u përcolli këtë mesazh.

Ata që dalin me X5 në rrugë dhe bllokojnë rrugët, nuk e kanë 300 mijë lekë pagën e natyrisht që ata do të mbajnë më shumë barrë në këtë luftë. E patjetër që ne do duhet të shikojmë se si të kompensojmë fermerët për shembull. Atëherë të ardhurat plus për shkak të rritjes së çmimit, ne do ti kthejmë përsëri, nuk do t’i marrim t’i çojmë në drejtim tjetër por do t’i kthejmë përsëri. Ku do t’i kthejmë? Do t’i kthejmë tek ata që janë më në nevojë sot, që janë fermerët, që janë ata që përdorin transportin publik. Nuk mund të themi që këtu jemi të gjithë njësoj, se nuk jemi të gjithë njësoj”, u shpreh kryeministri.

Belinda Balluku ministre e energjetikës solli në vëmendje të grosistëve të naftës, detyrimin e pasjes të rezervave të karburanteve përfshi eksporte të kontrolluara në mënyrë rigoroze.

Pavarësisht kësaj ndërhyrje të qeverisë çmimin e karburanteve do ta diktojë bursa ndërkombëtare por ama të paktën rritja e çmimit sipas oreksit të tregtarëve për momentin do ti vihet fre. Vlen për tu parë nëse kjo ndërhyrje e qeverisë do ta zbusë valën e protestave të qytetarëve në të gjithë Shqipërinë dhe nëse ne do ta paguajmë karburantin me çmimin real që dikton çmimi në tregjet ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA