Fiks Fare/ “Do i ulin kur të mbushin xhepat”, punonjësit e karburanteve tregojnë si ndryshon çmimi i naftës brenda orës nga pronarët!

11/03/2022 20:49

Lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritjen rekord të çmimeve të karburantit në Shqipëri. Megjithëse lufta me armë dhe bomba bëhet mijëra kilometra larg kufijve tanë, efektet e para ekonomike kanë ardhur edhe në Shqipëri, teksa më të prekurit janë konsumatorët. Para luftës, çmimi mesatar i një litri karburant (naftë e benzinë) ishte 175 lekë.

Ndërkohë, gjatë luftës çmimi maksimal në Shqipëri shkoi plot 270 lekë. Pra, 95 lekë më shumë! Një rritje historike, teksa jo çdo pikë karburanti ka pasur të njëjtin çmim.

Pikat e karburanteve filluan rritjen e menjëhershme, teksa brenda orës çmimi ndryshohej disa herë. Kulmi ishte data 9 mars, teksa në bursë një fuçi naftë shkoi në 130 dollarë. Por, aktualisht çmimi në bursë është ulur ndjeshëm, teksa një fuçi nafte po prek kufirin e 100 eurove. Por, sërish, disa pika karburanti në Shqipëri nuk e pasqyrojnë në çmim.

Fiks Fare bëri një vëzhgim në pikat e karburantit në Tiranë, ku çmimi ndryshonte në plot 30 lekë.
Siç u konstatua nga kamera e Fiks Fare, megjithëse ka një ulje nga 9 marsi, sërish karburantet nuk e kanë reflektuar uljen e çmimit në bursë. Disa pika e kanë çmimin 216 lekë, të tjera 220 lekë, ndërkohë që ka edhe karburante me 246 lekë. Por, ja çfarë bëjnë punëtorët e karburanteve. Në një pikë, punonjësi po ndryshon çmimin, nga 245 lekë e çon në 239 lekë! Pra, 6 lekë për litër. Pas këtij konstatimi, gazetarët e Fiks Fare shkuan në disa pika karburanti në Tiranë, për të pyetur punonjësit se kush i vendos çmimin.

Pika 1

Fiksi – O xhaxhi si kalove? 246?
Shitësi – Po.
Fiksi – Po dje sa ishte?
Shitësi – Aq, aq ka qenë.
Fiksi – A do e ulin gjë?
Shitësi – Nuk e di.
Fiksi – Nuk ju kanë thënë gjë?
Shitësi – Në orën 12.00 mund të ulet.
Fiksi – Në orën 12.00 mund të ulet? E sa mund të shkoj?
Shitësi – 210 ose 206.

Pra, çmimet ulen ora orës. Ose të paktën, këto pika karburanti i kanë sinkonizuar se kur do të bëjnë uljen e radhës! Por, nëse në këtë pikë çmimi ishte 246 lekë, në pikën tjetër, në të njëjtën kohë, çmimi është 225 lekë!

Pika 2

Fiksi – Se shyqyr e ulët.
Shitësi – U ul një çik.
Fiksi – Sa e keni ulur?
Shitësi – Me 225 është.
Fiksi – 225 është? E sa ka qenë dje?
Shitësi – 270
Fiksi – 270 ëëë? E sa ka arritur maksimumi këtu?
Shitësi – 270 pra.
Fiksi – 270 maksimumi dje?
Shitësi – Eeeee
Fiksi – Hajde, hajde. Ça do rritet më apo do ulet? Si e ka planin?
Shitësi – Planin e ka me u ul.
Fiksi – Me u ul.

Punonjësi tha se çmimi maksimal ka qenë plot 270 lekë, nga 175 që ka qenë para luftës. Por, sa është në këtë karburant tjetër?

Pika 3

Fiksi – Sa është litri sot këtu?
Shitësi – 225
Fiksi – Sa? 225? Po dje sa ka qenë?
Shitësi – 259
Fiksi – Gati 260.
Shitësi– Pa një lekë.
Fiksi – Po kur e ulën, sot në mëngjes?
Shitësi – Sot në mëngjes po.
Fiksi – Kanë thënë gjë që do ulet? Apo?
Shitësi – Nuk e di
Fiksi – Nuk dihet. Po më e shtrenjta sa ka shkuar këtu?
Shitësi –270
Fiksi – 270? Ça bëhet kështu më… Po si jua thonë kështu për çmimin këto? Ju merr pronari ju thotë kaq do e ulni?
Shitësi – Vjen pronari vetë, nuk merremi me uljet ne.

Të gjithë punonjësit thonë se uljet ua diktojnë shefat. Sipas tyre, ulje do të ketë vetëm në momentin që shefat të mbushin xhepat.

Pika 4

Fiksi – Sa është sa ka shkuar sot?
Shitësi – 235
Fiksi – 235? Ok mbushe sa të mbaj ajo. Sa ka qenë dje?
Shitësi – Vallai unë nuk kam qenë dje, sot e kam marrë.
Fiksi – Rrofsh, mirupafshim

Pika 5

Fiksi – Me sa është nafta?
Shitësi – Nafta 237.
Fiksi – 237? Qenka ulur pak.
Shitësi – Do ulet edhe pak.
Fiksi – Do ulet?
Shitësi – Po
Fiksi – Shyqyr, inshallah. Po dje sa ishte?
Shitësi – 257
Fiksi – 257 pardje? Sa shkoi maksimumi këtu?
Shitësi – Aq 257.
Fiksi – Inshallah po e ulin të paktën.
Shitësi – Ashtu flitet që do e ulin. Do mbushin një herë xhepat ata.
Fiksi – Po si ju vjen juve njoftimi që do ulet? Ose kur ju vjen përshëmbull.
Shitësi – Vjen ai përgjegjësi këtu dhe e lajmërojnë ata, ule tani, ule në darkë, ule nesër.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel