Skena të rënda dhune futbolli vinin mbrëmë nga Sevila në Spanjë ku tifozët e skuadrës gjermane të Eintracht Frankfurt sulmuan pa paralajmërim një grup tifozësh të skuadrës londineze të West Ham të ulur në një bar të kryeqytetit të Andaluzisë.
Sulmi i organizuar e i pashpjeguar fansave të Frankfurt erdhi megjithëse dy skuadrat nuk ndesheshin me njëra-tjetrën.
Dhe në fakt Frankfurt luajti mbrëmë duke fituar ndaj skudrës spanjolle të Betis Sevilla, ndërsa anglezët e West Ham kishin ardhur në qytet një natë para ndeshjes së skuadrës së tyre sot (e enjte) me skuadrën tjetër të qytetit ‘Sevilla FC’.
Pamjet e publikuara mbrëmë në rrjetet sociale tregonin skenat e dhunshme në qendër të qytetit.
Tifozët e organizuar të Frankfurt dhihet që vijnë pranë barit irlandez ku po qëndronin tifozët e West Ham dhe nisin sherrin me shishe qelqi, shkopinj, karrike e tavolina që u përdorën pa kriter në përleshje.
Çuditërisht tifozët e guximshëm të West Ham reaguan me trimëri duke kuptuar situatën e duke u përballur me sulmuesit deri në ardhjen e autoriteteve.
Përleshja kishte zgjatur disa minuta dhe komentatorët thonin se motivi ka qenë një përplasje e mëhershme mes tifozerive të dy skuadrave.
The Telegraph shkruante se policia ishte detyruar të përdorte plumba gome teksa tentonin të ndalonin përshkallëzimin e dhunës.
Të dyja skuadrat janë kualifikuar për raundin eliminator të kompeticionit Europa League.
Top Channel