Franc Kaloshi, nga fshati Ferras i Divjakës, thotë se këtë vit ka kultivuar 20 hektarë më pak grurë.
Kaloshi: “Vjet kam pas 70 Ha, sivjet mam diku tek 50 Ha me grurë. Sepse kostoja ishte shumë e lartë dhe e papërballueshme.”
Shërbimet tokës kësaj herë kushtojnë më shumë se kurrë, dhe shkak për këtë është rritja e çmimit të plehrave kimike dhe naftës.
Kaloshi: “Përfitojmë nga skema e naftës, por jemi të sanksionuar, jo më shumë se 10 Ha. Diferenca e çmimit për një litër karburant. Vjet ka qenë 145 Lekë këtë vit është 200-190 Lekë.
Vijmë tek pjesa e plehut bazë. Superfosfati ka qenë 220 mijë Lek toni, ka shkuar 550 mijë Lek toni.
Fara vjet fillonte nga 500-600 mijë Lek toni. Tani fara ka shkuar nga 900-1 milion Lek toni.
Fazat pas mbjelljes janë ushqimet. Një ton nitrat në vitin 2021 ka qenë 360 mijë Lek, sivjet një ton bitrat është 970 mijë Lek. “
Në fund të këtij sezoni Franci pret t’i hedhë tokës afërisht 1 milion Lekë të vjetra më tepër për hektarë.
Kaloshi: Kostoja e një hektari grurë mund të kete qenë 1.5 milion Leke te vjetra dhe ka shkuar diku tek 2.5-3 milion Lekë te vjetra.
Djersa e fermerëve për tregtarët kushton tepër lirë, ndërsa për shtetin që duhet të hartoje politika mbështetëse për ata fermerë që mbjellin drithëra, sipas Francit këtij sektori nuk i jepet rëndësia e duhur.
Kaloshi: “Këtë grurë prej 20 vitesh ne e shesin jo më shumë se 280-300 mijë Lek toni. Me këto kosto qe kemi sot ne nuk fitojmë. ”
Lufta Ukrainë-Rusi, nxori në pah nevojën që Shqipëria ka për prodhimin vendas të grurit dhe të miellit. Në vendin tonë prodhimi I drithërave në vitin 2020 ishte 684.023 tonë, sasi kjo e pamjaftueshme për kërkesat e tregut të brendshëm.
Top Channel