Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov krahasoi sërish Kosovën me Ukrainën këtë të enjte, pas takimit me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba.
Ai tha se kur Kosova shpalli pavarësinë, Perëndimi e duartrokiti, por kur bëhet fjalë për rusët në Ukrainë, kjo nuk mund të ndodhë.
“Kur Kosova shpalli pavarësinë, Perëndimi e duartrokiti. Por pse shqiptarët lejohen ta bëjnë këtë, dhe rusët në Ukrainë jo? Shqiptarët u lejuan të punojnë në këtë drejtim nga Perëndimi”, tha Lavrov në konferencë për mediat pas takimit me homologun ukrainas, Kuleba.
Edhe më parë Lavrov e ka krahasuar Kosovën me Ukrainën.
Kujtojmë se gjatë viteve ’90 shqiptarët përjetuan vrasje, përdhunime e shfarosje nga serbët, të cilët ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por pjesë të territorit të tyre.
Kjo e enjte ka shënuar ditën e 15-të të luftës në Ukrainë. Takimi në Antalia të Turqisë mes ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe atij ukrainas, Dmytro Kuleba përfundoi pa marrëveshje mes dy vendeve.
Rusia ka përshkallëzuar sulmet ndaj civilëve teksa ukrainasit nxitonin të arratiseshin përmes korridoreve të evakuimit. Mbrëmjen e së mërkurës rusët bombarduan një maternitet në Mariupol, ku raportohet se deri më tani janë plagosur të paktën 17 persona dhe tre kanë vdekur, mes tyre një fëmijë.
Top Channel