Gazetari i Top Channel, Artur Bibe këtë të enjte raporton nga Kievi se forcat ruse kanë filluar rrëthimin e qytetit, ndërsa qytetarët po përgatiten për betejën finale.

Kievi është i rrethuar dhe po përgatitet për betejën finale. Forcat ruse ndodhen në periferi të qytetit dhe nga andej po godasin fillimisht me tanke dhe artileri të rëndë. Qytetarët e Kievit mbrohen, janë këtu, për të mbrojtur vendin e tyre, siç thonë ata. Ata janë kudo dhe i shikon në një qendër stërvitore, i shikon në një supermarket, i shikon në një qendër ku ndihmohen me ndihma qytetarët. Ata janë kudo për të shpëtuar vendin e tyre nga agresorët”, tregon ai.

Administrata Rajonale e Kievit më herët sqaroi se ka disa rrugë të rrezikshme përtej kryeqytetit për shkak të luftimeve të ashpra, duke përfshirë edhe autostradën kryesore në perëndim për në Zhytomyr dhe qytetin e Makariv, i cili është në atë rrugë.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha në televizionin ukrainas se “qëllimi kryesor i rusëve është të marrin kontrollin e Kievit”.

Detyra e tyre që nga dita e parë e luftës është të rrethojnë Kievin, ta rrethojnë dhe më pas të vazhdojnë të sulmojnë, të rrëzojnë qeverinë”, tha ai.

Planet e tyre nuk po realizohen, falë djemve tanë që janë tani në Bucha, Vorzel, Irpin, Hostomel, ku po zhvillohen luftime të ashpra. Djemtë tanë po prishin të gjitha planet për të rrethuar Kievin”, theksoi Klitschko.

Ai diskutoi gjithashtu për refugjatët që largohen nga kryeqyteti.

Një në dy banorë është larguar nga qyteti, ka pak më pak se 2 milionë banorë tani në Kiev”, tha ai, duke shtuar, “tani Kievi është bërë një kështjellë, çdo rrugë dhe çdo ndërtesë”.

Kjo është dita e 15-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së mbi 2.3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 11 mijë.

Ndërsa 1 mijë e 300 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse -mes tyre edhe fëmijë.

Top Channel