Eduart Ashiku është nga Dibra dhe prej 6 vitesh punon në sektorin e peshkimit në Durrës.

Ai e ka lidhur jetën me këtë profesion sfidues, që përballet edhe me mjaft vështirësi i diktuar shpesh edhe nga moti i keq dhe sasia e prodhimit të kapur.

“U futëm rrugën e parë për të parë a më zë deti a s’më zë. Deti s’më zinte dhe vazhdova aktivitetin. 

 Të pëlqen puna në det?

E rrezikshme është, por mirë. Jetojmë, se s’kam zanat tjetër”, tha Eduart Ashiku, peshkatar

Nga janari deri në prill ngushtohemi shumë. Është më shumë kohë e keqe se e mirë dhe ne paguhemi me përqindje. Nuk kemi rrogë bazë.” 

Një punë plot sakrifica, ndërsa shpesh të ardhurat që ai siguron për familjen e tij, me 3 djem të mitur në rritje, janë të pamjaftueshme.

“Sidomos tani në dimër, që kur ngrehemi në mesnatë, 2 të natës apo 5 të mëngjesit për të marrë rrjetën… ta llogarisni ju që flini brenda dhe mërdhifni, vaj medet ne që duhet me dal me marrë rrjetën dhe fut duart në ujë.

I mbaj kalamajtë me bukë. – Edhe me peshk. – Me peshk jo dhe shumë se unë punoj me një barkë dhe rrimë dy ditë. Është prodhimi shumë i vogël dhe nuk biem shumë dhe atë që biem e kërkon magazina”, tha ai.

Rënia e rezervave të peshkut një problem global, ndjehet edhe në ujërat bregdetare të Adriatikut, ndërsa nevojat në treg për peshk janë të mëdha. Punonjësit e këtij sektori shprehen se ka faktorë të ndryshëm që kanë çuar në rënien e sasisë së peshkut në det, një prej tyre, sipas kryetarit të sindikatës së peshkatarëve në Durrës, Klodian Kapiti është dhe tërmeti.

“Nuk ka qenë prodhim i kënaqshëm, duke qenë se anijet dalin me ditë në det, po kjo nuk është hera e parë që ndodh dhe ne i quajmë vite të varfra. Një ndikim të drejtpërdrejtë kanë dhe fenomenet natyrore siç janë tërmetet. Aty ku ndodhin këto fenomene, sado të vogla të jenë lëkundjet ndjehen dhe kemi dhe largime masive. Nuk themi që s’ka fare, por nuk është prodhim i kënaqshëm”,  tha  Klodian Kapiti.

Kapiti shprehet se përtej vështirësive, politikat në mbështetje të peshkimit, veçanërisht ato që pritet të hyjnë në zbatim së shpejti janë një mundësi e mirë për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori kaq të rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA