Ukraina do të përpiqet të evakuojë civilët përmes gjashtë “korridoreve humanitare” gjatë ditës së sotme, përfshirë Mariupolin e rrethuar nga forcat ruse.

Zëvendës-kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk pohoi se forcat e armatosura të vendit kanë pranuar të reshtin luftimet në zonat në fjalë për 12 orë, nga ora 09:00 deri më 21:00, dhe u ka bërë thirrje forcave ruse që të përmbushin zotimin e tyre për armëpushime lokale.

Të martën, u arrit të kryheshin me sukses evakuimet e para dhe shpresat janë që ky amëpushim të funksionojë. Vetëm nga qyteti i bombarduar rëndë i Sumyt, në kufi me Rusinë, llogaritet të jenë larguar 5000 persona, një pjesë e tyre me makinat private.

Autoritetet në Kiev e kanë akuzuar më parë Moskën se bombardoi  korridoret humanitare pikërisht në kohën kur njerëzit tentonin largimin  nga Mariupoli.

Ende nuk dihet se ku çojnë gjashtë korridoret e propozuara humanitare. Ato të mëparshmet, që propozoi Moska i dërgonin njerëzit drejt Rusisë dhe Bjellorusisë, ndaj u refuzuan nga qeveria ukrainase.

Rreth 1.3 milion njerëz janë larguar nga Ukraina në Poloni, prej pushtimit rus në Ukrainë, njoftoi Agjencia kufitare polake. Gjithsej, sipas OKB-së, që prej fillimit të pushtimit, janë zhvendosur më shumë se 2 milionë refugjatë ukrainas.

Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch, tha se solidariteti dhe empatia e Bashkimit Evropian për njerëzit që po i ikin luftës në Ukrainë, janë të mrekullueshme. Megjithatë, Judith Sunderland pyeti përse nuk u aktivizua kjo direktivë dhe në 2015, kur më shumë se një milion sirianë, afganë dhe irakianë kanë arritur në brigjet evropiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA