Aleksandar Vuçiç deklaroi se shteti i tij do të pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit duke nisur nga data 10 mars.
“Në dy ditët e fundit, eksporti i grurit dhe miellit është rritur aq shumë, saqë duhet ta ndalojmë”, tha Vuçiç për televizionin serb.
Ai sqaroi se shteti do t’i subvencionojë derivatet për fermerët.
“Ne do të subvencionojmë që çmimi i euro-naftës në të gjitha pikat e karburantit të Industrisë së Naftës së Serbisë të mbetet së paku 179 dinarë, rreth 1.5 euro për të paktën një muaj e gjysmë. Për të gjithë të tjerët do të ketë rritje minimale”, u shpreh ai.
Vuçiç shtoi se Serbia është në pritje të vendimit të Bashkimit Europian për importin e energjisë nga Rusia. Shtetet e Bashkuara e ndaluan atë të martën, si ndëshkim për Rusinë, e cila ka pushtuar Ukrainën.
“Nëse vendimi është që të ndalohet importi i të gjitha burimeve të energjisë nga Rusia, atëherë edhe ne jemi në telashe. Nuk kemi ku t’i marrim, nafta dhe gazi nuk mund të bien nga qielli”, tha Vuçic, duke folur për gjendjen e rezervave të mallrave të Serbisë, ku tha se Serbia është e përgatitur për së paku dy muajt e ardhshëm.
Kosova, gjatë vitit 2021, ka importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria.
Top Channel