Si sot 2 vite më parë, identifikohet pacienti i parë me Covid-19 dhe së bashku me kontaktin e tij futet në ambientet e spitalit Infektiv, i cili ishte bërë më herët spital për të pritur pacientët e Covid.

Zyrtarisht, Shqipëria hyn në hartën e vendeve të prekur nga virusi i Covid-19, i cili më pas shkaktoi një pandemi mbarëbotërore dhe në spitalin Infektiv u mbushën të gjitha kapacitetet, madje u pranuan pacientët edhe më shumë sesa mban në të vërtetë ky spital.

Por çfarë ndodh sot?

“Sot pas 2 vitesh, ka një numër më të ulët pacientësh. Ju e shikoni, këtu ka mjaft shtretër bosh që do të thotë jo se jemi pa pacientë fare, por krahasuar me pjesën tjetër që këto shtretër kanë qenë çdo ditë dhe çdo orë të mbushur”, tha doktoreshë Najada Çomo.

Pyetje: Sa kohë keni që qëndroni në spital?

Pacienti: 17 ditë, jam gjallë falë këtyre. Nuk jam vaksinuar. Jam kundra vax, por me këtë mendje që jam sot, do isha vaksinuar. Kam qenë shumë rëndë dhe tani falë Zotit…

Najada Çomo: Kemi pacientë në tre katet, gjendja e tyre është në formë të mesme, të rëndë dhe shumë të rëndë. Dominojnë ata persona që nuk janë vaksinuar ku mosha më e re është 40 vjeç që është në gjendje shumë të rënduar nga ana mjekësore. Pas 2 vitesh kemi 44 pacientë.

Pyetje: Sa ka arritur numri më i madh i pacientëve që keni trajtuar?

Najada Çomo: Spitali jonë nga 80 shtretër që kishte, kaloi në 120 dhe më vonë kaloi në 140 shtretër.

Ndërsa pandemia po shkon drejt fundit, në 2 vite kemi humbur 3483 persona, mes tyre edhe 50 mjekë. Ka të tjerë të cilët kanë humbur jetën nga komplikacionet që u shkaktoi virus ii Covid-19 por jashtë njerëzit kanë harruar që ekziston ende virusi, ndërkohë që mjekët vijojnë të apelojnë: Ata të cilët nuk janë vaksinuar ende, të rendin sa më parë.

Top Channel