Plani i presidentit rus, Vladimir Putin ishte marrja e kryeqytetit të Ukrainës Kiev brenda vetëm dy ditësh.
Tani që gjërat nuk shkuan aspak siç i mendonte ai, duhet të jetë shumë i zemëruar tha shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës , William Burns, në një seancë para Kongresit amerikan.
Në këto kushte, shefi i Kremlinit mund të shtojë përpjekjet për të gjunjëzuar ushtrinë ukrainase, pavarësisht sesa viktima bëhen mes civilëve. Putin e ka përfshirë veten në një kombinim shpërthyes “ankesash dhe ambicjesh”, tha Burns.
Ndërkohë, Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines pohoi në një seancë dëgjimore të Kongresit se inteligjenca amerikane vlerëson që presidenti rus, me shumë gjasë nuk ka ndërmend të frenohet nga pengesat që po has ushtria e tij në Ukraine, por mund të dyfishojë përpjekjet dhe fushatën e vet për ta mbajtur vendin fqinj larg anëtarësimit në NATO.
CIA ndërkohë del më shifra të tjera nga ato që japin zyrtarët ukrainas për humbjet në radhët e ushtrisë ruse. Sipas saj, në Ukrainë janë vrarë 2000-4000 trupa ruse dhe jo 12 mijë sic thonë autoritetet në Kiev.
Ukraina pretendon gjithashtu se ka shkatërruar 48 avionë dhe 80 helikopterë rusë, 303 tanke, mbi 1000 mjete të rënda ushtarake, 60 depozita nafte, 56 raketahedhëse dhe pajisje të tjera.
Top Channel