Rama: Maqedonia e Veriut dhe Kosova rritën çmimin e energjisë në faturën e familjarëve, ne jo

08/03/2022 10:00

Kryeministri Edi Rama tha këtë të hënë në një takim me gazetarët se Shqipëria nuk zgjodhi të rriste koston e energjisë tek familjarët, ndërsa Kosova dhe Maqedonia e Veriut po.

“Ne arritëm të ndërhynim se kemi zgjedhur në vitin 1990 që të jemi një vend me ekonomi të tregut. Meqë më përmendët Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Kosova dhe Maqedonia kanë rritur çmimin e energjisë në mënyrë të ndjeshme në faturën e familjarëve, do ishit dakord?”, tha Rama.

Në Ukrainë po zhvillohet një luftë ushtarake, kurse në të gjithë Evropën një luftë ekonomike me pasojë rritje të çmimeve.

Çmimi për një litër naftë preku shifrën 240 lekë për litër në vendin tonë.

Nafta dhe gazi arritën çmime rekord duke krijuar kaos jo vetëm në vendin tonë, por edhe në tregjet botërore të energjisë.

Analistët e tregut paralajmërojnë për luhatje të tjerë të reja mes rrezikut të problemeve të mëdha të furnizimit, sanksioneve dhe një vale të re të ftohti. Çmimet e larta të gazit kanë detyruar tashmë Ofgem të rrisë kufirin e çmimit që furnizuesit mund të vendosin, me një maksimum të ri të pritshëm prej 1,97 paund.

Rritja reflektoi një katërfishim të çmimeve të tregut të energjisë përpara se Rusia, furnizuesi i dytë më i madh i gazit në botë, të pushtonte Ukrainën, vend përmes të cilit kalojnë shumë prej tubacioneve të saj të gazit në Europë.

Çmimet janë rritur përsëri që nga shpërthimi i luftës, duke nxitur paralajmërime se kufiri i faturave mund të lëvizë ndjeshëm sërish. Rusia furnizon me gaz gati 40% të kontinentit të vjetër, e tregjet tani po mundohen shumë të vlerësojnë ndikimin e një ndërprerjeje të gazit rus qoftë për shkak të konfliktit, qofte prej sanksioneve të perëndimit.

Top Channel