Në adresimin për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryetarja e shtetit Vjosa Osmani tha se gratë në politikë më shumë vlerësohen për veshjen sesa për atë që punojnë. Ajo ka thënë se është ballafaquar me shumë barriera përgjatë rrugëtimit të saj politik.

Presidentja Osmani, por edhe kryeministri Albin Kurti janë zotuar se objektiv i tyre strategjik është krijimi i kushteve të barabarta për gratë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore ka organizuar ngjarjen me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”.

Presidentja Vjosa Osmani ka uruar që fjalët “gratë” dhe “vajzat” të jenë sinonim i triumfit, suksesit dhe ngadhënjimit. Ajo ka përmendur edhe rastet e dhunës në familje dhe papunësinë e lartë.

“Barazia gjinore dhe të drejtat e grave janë themelore dhe janë parakusht për adresimin e të gjitha sfidave që përmenda. Ne mund të arrijmë prosperitet, siguri dhe stabilitet vetëm atëherë kur do të promovojmë, mbrojmë dhe garantojmë të drejtat e grave dhe vajzave. Për dekada gratë kanë thirrur për barazi, për dekada gratë kanë përsëritur se ka ardhur koha për barazi, mundësi për përfaqësim. Koha për t’i dhënë fund dhunës, koha për qasje në drejtësi, për mundësi të barabarta në trashëgimi. Duhet të bashkohemi që të gjithë gra e vajza, burra e djemë, të rinj e të moshuar që t’i japim frymë barazisë gjinore në shtëpi, në rrugë, në vende pune, në institucione, në komunitet e kudo tjetër”, u shpreh ajo.

Më tej, Osmani ka përmendur sukseset në sport, art e kulturë, duke shtuar se ende vazhdojnë të frymojnë paragjykimet.

“Vajzat dhe gratë lehtësisht kategorizohen e etiketohen përpara se të dëgjohen e të vlerësohen. Vajzat dhe gratë sulmohen para se të respektohen e trajtohen me dinjitet. Vajzat dhe gratë refuzohen përpara se tu hapen dyert sepse gjithmonë ka një arsyetim, gjithnjë një pengesë, gjithnjë një dyshi. Për mua dhe koleget e mia që janë këtu në politikë, gjithnjë ajo çfarë veshim është më me rëndësi se ajo çka ne punojmë. Shpeshherë tentoj të mos i shpërfaq në plotni barrierat e shumta me të cilat jam ballafaquar përgjatë rrugëtimit profesional e politik”, ka deklaruar Osmani.

E shefi i ekzekutivit, Albin Kurti tha se organizimi i përbashkët institucional është e vetmja alternativë. Sipas tij, barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore.

“Gratë e bëjnë aktivizimin e dyfishtë, merren me politikat e përgjithshme por gjithsesi edhe me çështjet gjinore. Gratë nuk punojnë vetëm për gratë, por ato punojnë po ashtu për gratë, sidomos për gratë. Duhet t’i aktivizojmë gratë e shkolluara e duhet t’i shkollojmë sa më lart gratë aktive. Krijimi i mundësive të barabarta është objektivi ynë strategjik në programin tonë për barazi gjinore që gratë të përfitojnë nga zhvillimi, por edhe të kontribuojnë që të rrisin përfshirjen e pjesëmarrjen aktive e pjesëmarrjen në vendimmarrje. Për të arritur rezultatet e drejta në rrugëtimin e përbashkët është e domosdoshme barazia në fillim të shtegut. Brenda këtij viti, në emër të një fillimi të barabartë, kemi ndarë shtesat për më shumë se 142 mijë fëmijë të porsalindur”, ka deklaruar Kurti.

Ai u zotua se po punojnë që fëmijët e vegjël të rriten me vlera që promovojnë gjithëpërfshirjen dhe barazinë gjinore, fuqizimin ekonomik të grave dhe pavarësimin financiar nëpërmjet zgjerimit dhe zhvillimit të masave aktive të punësimit.

Në shënimin e Ditën Ndërkombëtare të Gruas, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog u shpreh se barazia gjinore është prioritet integral i Bashkimit Evropian. Ai pati fjalë të mira për përfshirjen e grave në pozitat kyçe në institucione.

“Do të doja që të lavdëroja Kosovën si një shembull i mirë për fuqizimin e grave dhe duke dhënë pozita në lidership. Shumë ministra, zëvendësministra dhe anëtar të Parlamentit, Kosova po tregon një shenjë të mirë që ka vendosur gratë në pozita kyçe. Kjo shërben të forcojë objektivat e parapara për barazi gjinore në Kosovë. Vetëm përfaqësimi nuk mjafton për të arritur barazinë gjinore, është jetike përfshirja në vendimmarrje dhe pozita drejtuese”, tha ai.

Se gratë dhe vajzat në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me paragjykime, e tha edhe kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia.

Ajo ka folur edhe për luftën në Ukrainë, ku tha se po dhunohen seksualisht gratë.

“Janë me qindra gra dhe vajza, burra dhe djemtë që po ballafaqohen me tmerret e një lufte të padrejtë. Sot, në këtë moment janë me qindra fëmijë, vajza dhe djemë që së bashku me nënat e tyre po përballen me vdekjen, po i nënshtrohen eksodit. Fatkeqësisht, po dëgjojmë paralajmërimet e para se dhunimet seksuale si mjet lufte ndaj grave ukrainase janë duke ndodhur. Sikur gratë të ishin inkurajuar të jenë pjesë e vendimmarrjes globale, politike, shumë luftëra dhe konflikte mund të ishin evituar”, ka thënë Gusia.

Në organizimin e Agjencisë për Barazi Gjinore me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”, ministre e deputete kanë folur edhe për paragjykimet me të cilat janë ballafaquar gjatë rrugëtimit të tyre politik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA