Dhunuesi hajdut i varreve në Durrës dhe rrethinat e qytetit është lënë sot në burg nga gjykata.

Një ditë më parë, policia arrestoi një 58-vjeçar nga Durrësi, i cili është faktuar se kryente vjedhjen e pjesëve të bronxta nëpër varrezat e Durrësit dhe të Rrashbullit me qëllim tregtimin e tyre për qëllime fitimi.

58-vjeçari kishte gjetur këtë mënyrë për të siguruar të ardhura duke lëvizur nëpër varreza dhe shkëputur pjesët e bronxta dhe dëmtuar varret. Si rezultat i hetimeve policia deklaroi sot se u zbardhën edhe tri vjedhje të tjera, në varrezat e qytetit, në kuadër të një operacioni policor të koduar “Bronzi”, gjatë të cilit u prangos 58-vjeçari R. K., i cili u kap në flagrancë duke vjedhur dhe shkatërruar varrezat e qytetit.

Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë zbardhja edhe e disa vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, në 11 maj të vitit 2021, ka vjedhur vazo bronzi në varrezat e qytetit. Po në këtë ditë ka vjedhur edhe tek varrezat e fshatit Rrashbull. Më 25 qershor të po atij viti, ai është rikthyer në varrezat e Durrësit për të vjedhur e dëmtuar varre“, njofton policia.

Policia deklaron se vijojnë hetimet për raste të tjera, ndërsa ka siguruar dhe provat që dëshmojnë akuzat e vjedhjes dhe dhunimit të varreve që rëndojnë mbi të arrestuarin.

Top Channel