Humbja në zgjedhjet e 6 marsit/ Çfarë po diskutohet në mbledhjen e Bashës me krerët e degëve

08/03/2022 19:02

Në mbledhjen me krerët e degëve për analizën dhe rezultatin e zgjedhjeve të 6 marsit, Lulzim Basha tha se secili duhet të mbajë përgjegjësi, duke nisur nga ai vetë.

Kreu i PD tha se për një parti më të fortë duhen bërë ndryshime e të tejkalohet kulti i individit.

Basha: Përgjegjësia bie te të gjithë, por fillon me mua. Secili duhet të mbajë përgjegjësi. Ne kemi në dorë të qëndrojmë, të bëjmë betejë, të bëjmë ndryshime, të tejkalojmë kultin e individit, për një parti më të fortë.

Xhemal Bushati, kandidati i PD për bashkinë Shkodër u rendit i treti në zgjedhjet e 6 marsit ndërsa fitoren e mori Bardh Spahia i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

Për fitoren e tij, në mbledhjen me kreun e PD, Bushati tha se Voltana Ademi e ka mbështetur dhe u bënte presion qytetarëve për t’i dhënë vota.

Xhemal Bushati: Unë e kam filluar fushatën për qytetarët, si një fushatë për qeverinë vendore. Në Shkodër kishim qeverinë,  administratën, PSD e Foltore. Kishim Bashkinë, LSI, presionin e Bashkisë ndaj qytetarëve më shumë se askush.

Ju kërkoj me modestinë time, ashtu siç ishim në gjithë Shkodër, ta shëtisnin krejt Shqipërinë. I kam bërë thirrje demokratëve të bashkohemi, nuk duhet të ndahemi. Kryetarja e bashkisë bënte presion për vota. Duhet t’i japim shpresë njerëzve. Ngrije zërin kryetar. Kërkoju llogari.

Kreu i PD në Mat, Arjan Lika bëri thirrje që të gjithë të mbështesin Bashën, jo të kërkojnë dorëheqjen e tij.

Arjan Lika: Të gjithë armiqtë duke na gjuajtur ne, ndërsa ne duke gjuajtur njëri-tjetrin. Trekëndëshi Bermudës e caktoi vet kush del i pari e kush i fundit. Kandidatët mos të mërziten fare, bravo u qoftë që e morën përsipër këtë përballje. Deputetët dhe drejtuesit të benë më pranë njerëzve

Nuk duhet gjuajtur me gruë të parin e shtëpisë tonë. Ja e hoqëm, vjen një i ri. Si do e zgjidhë problemin me Sali Berishën. Ai (Berisha) nuk e zgjidh dot problemin me Amerikën. Ju bëj thirrje ta mbështesim Lulzim Bashën. Me 9 shtator mori një vendim për të mirën e kësaj shtëpi. Duhet të punojmë, reflektojmë. Nuk është situatë e mirë, por duhet të vazhdojmë fort përpara.

Ferdinand Saraçi, kandidati i PD për bashkinë Rrogozhinë ka justifikuar humbjen e tij në zgjedhjet e 6 marsit duke thënë se PS dhe Foltorja u bashkuan ndërsa pretendon se pati shitblerje të votës.

Në mbledhjen e ditës së djeshme, grupi i PD kërkoi dorëheqjen e Bashës pas humbjes së thellë në zgjedhjet e pjesshme, ndërsa Saraçi thotë se kryedemokrati nuk ishte fajtor. Ndër të tjera, i thotë se duhet t’i kërkojë llogari deputetëve pasi nuk shkohet në fushatë vetëm për foto.

Ferdinand Saraçi ka shigjetuar edhe të deleguarën e PD, Grida Duma duke thënë se nga deputetët që i çoi për mbështetje, vetëm Dash Sula i doli në krah.

Ferdinand Saraçi: Kishim përballë edhe qeverinë edhe Foltoren. PS e Foltorja patën të deleguar që ndanin para. Ju më dërguat disa deputetë,  por vetëm Dash Sula ka qenë në krah. Pati shitblerje të votës. 

Nuk ke faj ti që humba Rrogozhinën, mbaj përgjegjësi vetë dhe duhet të jetë përgjegjësi edhe e deputetëve që ishin. Kërkoji llogari deputetëve, nuk vihet në fushatë për foto.

Ish kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj thumboi veshjen e deputetëve duke thënë: “Falenderoj 6 kandidatët. Nga 6 bashki 5 kanë qenë të majta. Nuk ka ndodhur që në zgjedhje të pjesshme të fitojë opozita. Mos të shkojnë deputetët me versaçe, por të shkojnë për të punuar. Duhet të kthjellohemi e të gjykojmë.”

Ndërsa kreu i PD në Mirditë, Mark Ruçi tha se duhet një strategji për zgjedhjet e ardhshme ndërsa shtoi se makineria e pushtetit po vepron si në komunizëm.

“Duhet një strategji që të dimë si të ecim nesër në zgjedhje. Makineria e pushtetit vijon vijën e partisë së pushtetit të parë (komunizmit). Duhet të konsultohemi me njerëzit që të marrim përgjegjësi. Duhet të qetësohemi e të logjikojmë. Falendëroj kandidatët që përballuan një garë të pabarabartë”, tha Ruçi.

Ditën e djeshme, një pjesë e anëtarëve të Grupit të Partisë Demokratike kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të partisë Lulzim Basha gjatë mbledhjes prej mbi katër orësh, pas dështimit në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në gjashtë bashki.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA