Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka zhvilluar një takim me zv.ambasadoren e OSCE-së dhe përfaqësueset e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare që kanë në fokus të punës së tyre mbrojtjen e gruas dhe të fëmijëve.
Gjatë takimit, Nano ka theksuar se mbrojtja e lirive dhe të drejtave të grave, barazia gjinore dhe trajtimi me profesionalizëm i rasteve të dhunimit të grave dhe fëmijëve është një nga prioritetet e Policisë së Shtetit. Po ashtu, Nano ka falënderuar zv.ambasadoren e OSCE-së, për prezencën e saj, po ashtu dhe përfaqësueset e organizatave, për misionin që ato kryejnë, duke e cilësuar si një mision të shenjtë, në interes të zhvillimit shoqëror të vendit.
Ndërkohë, zv.ambasadorja e OSCE-së dhe përfaqësueset e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare kanë vlerësuar ftesën dhe frymën e re të bashkëpunimit dhe të qasjes për zgjidhjen e problematikave në favor të grave, vajzave dhe fëmijëve të dhunuar.
Nano: Dita e sotme, për të gjithë ne, nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm një ditë festimesh, por si në mbarë botën e qytetëruar, para së gjithash është një ditë apeli ndaj një prej objektivave më jetikë për zhvillimin dhe emancipimin e një shoqërie, mbrojtjen e jetës së gruas. Për një vend që aspiron ruajtjen e virtyteve dhe traditave me përfaqësuese të popullit të tij, por edhe integrimin në Bashkimin Evropian, mbrojtja ndaj gruas para së gjithash është mbrojtja ndaj jetës dhe vijimësisë së saj.
Viti i kaluar nxori në pah jo vetëm rastet e njëpasnjëshme të goditjes së figurës së grave dhe vajzave, rolit të tyre në familje dhe në shoqëri, por në të njëjtën kohë deshifroi edhe epikrizën e një shoqërie, e cila, për fat të keq ende qëndron e kapur fort pas së shkuarës së saj. Në jo pak raste, kjo e kaluar nuk ka krijuar vetëm kujtesë, por edhe ndërgjegje, çka do të thotë se krejt filozofia e punës sonë do të duhet të transformohet për të parandaluar dhe reduktuar sa të jetë e mundur rastet e dhunës dhe të krimit në familje, ku në pjesën më të madhe gruaja shënon numrin më të lartë të viktimave.
Muaji mars, i dedikuar për gratë e vajzat, do të jetë nisja e një fushate ndërgjegjësimi në të gjithë vendin, përmes takimeve me Policinë e Shtetit, në çdo njësi administrative, në krah me Ju, përfaqësuese të organizatave të shoqërisë civile, për të sensibilizuar dhe rritur numrin e telefonatave në sallat operative, nga të gjithë ata persona që kanë nevojë për ndihmë, për të mbështetur dhe zgjidhur nevojat për siguri dhe mbrojtjen sociale të tyre.
Policia e Shtetit, pa asnjë hezitim, do ta kryejë me përpikëri punën e saj, por pa një plan të koordinuar edhe me autoritetin tuaj si organizma tepër të rëndësishme në mbarëvajtjen e mbrojtjes së jetës dhe integrimin social të gruas shqiptare, do ta ketë jo pak të vështirë të depërtojë në çdo labirint të krijuar nga kjo traditë aspak e denjë për një vend me histori e kulturë nga më të vjetrat në kontinentin evropian.
Top Channel