Efekti i luftës në Ukrainë/ Rama: Çmimi i naftës nuk varet nga qeveria! Duhet të përgatitemi për çdo skenar

08/03/2022 09:21

Kryeministri Edi Rama theksoi se çmimi i naftës nuk varet nga qeveria shqiptare, por nga tregu, i cili është ndikuar nga lufta në Ukrainë.

Kreu i qeverisë theksoi këtë të martë se duhet të përgatitemi për çdo skenar të mundshëm që mund të ndodhë, ndërsa lufta ka prekur të gjithë botën.

“Kriza energjetike po vjen duke u rritur. Një prej zyrtarëve rus kërcënuar me një çmim 300 dollarë për fuçi, një gjë e pa ndodhur në historinë e tregtisë. Çmimi i naftës rritet dita ditës. Një ndryshim tektonik me pasoja. Shqipëria nuk bën asnjë përjashtim, është drejtpërdrejt e prekur si të gjithë vendet e tjera. Diskutimi i naftës ndikohet drejtpërdrejt nga tregu jo nga vendimet e qeverisë.”

Në Ukrainë po zhvillohet një luftë ushtarake, kurse në të gjithë Evropën një luftë ekonomike me pasojë rritje të çmimeve.

“Çmimi i naftës nuk varet nga qeveria, nuk është qeveria në tregun e lirë. Evropa ka hyrë në luftë, ushtarakisht është mes një agresori dhe një vendi në agresion, ndërsa në të gjitha aspektet e tjera, lufta zhvillohet mes të gjitha vendeve që refuzojnë agresorin dhe agresorin. Në luftë nuk ka mundësi për të kërkuar të njëjtat gjëra që kërkonim përpara fillimit të luftës dhe se duhet të përgatitemi për çdo skenar, askush nuk e di se sa do të vijojë kjo luftë. Nuk është një film që ajo që shikojmë në ekrane orë e çast”, tha Rama.

Çmimi për një litër naftë preku shifrën 240 lekë për litër në vendin tonë.

Nafta dhe gazi arritën çmime rekord duke krijuar kaos jo vetëm në vendin tonë, por edhe në tregjet botërore të energjisë.

Analistët e tregut paralajmërojnë për luhatje të tjerë të reja mes rrezikut të problemeve të mëdha të furnizimit, sanksioneve dhe një vale të re të ftohti. Çmimet e larta të gazit kanë detyruar tashmë Ofgem të rrisë kufirin e çmimit që furnizuesit mund të vendosin, me një maksimum të ri të pritshëm prej 1,97 paund.

Rritja reflektoi një katërfishim të çmimeve të tregut të energjisë përpara se Rusia, furnizuesi i dytë më i madh i gazit në botë, të pushtonte Ukrainën, vend përmes të cilit kalojnë shumë prej tubacioneve të saj të gazit në Europë.

Çmimet janë rritur përsëri që nga shpërthimi i luftës, duke nxitur paralajmërime se kufiri i faturave mund të lëvizë ndjeshëm sërish.

Rusia furnizon me gaz gati 40% të kontinentit të vjetër, e tregjet tani po mundohen shumë të vlerësojnë ndikimin e një ndërprerjeje të gazit rus qoftë për shkak të konfliktit, qofte prej sanksioneve të perëndimit.

Top Channel