Deputetja e Krujës kërkon dorëheqjen e Bashës

08/03/2022 15:15

Deputetja demokrate në Krujë, Merita Bakiu i është bashkuar grupit që kërkojnë dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha nga posti.

Ajo bën përgjegjës Bashën për gjendjen e partisë dhe humbjen e gjashtë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

“Ndodhemi në një situatë të vështirë, ndofta më keq se vitin 1997 , për arsye se përveç humbjes së tmerrshme kemi dhe një PD të përçarë. Në këtë moment po nuk morëm përgjegjësitë do të jemi  dhe dëshmitarë të shkatërrimit përfundimtar. Nuk mund të fshihemi me pas siglës, anëtarësia dhe për më tepër votat popullore na treguan realitetin.

Përgjegjësia fillon së pari tek ju kryetar e më poshtë.

PD shpëton duke u bashkuar dhe ky bashkim fillon me dorëheqjen tuaj dhe çuarjen në zgjedhje të reja brenda PD ku bëjnë pjesë edhe anëtarët, miqtë e bashkëpunëtorët që sot i janë bashkuar foltores.

Nuk bëhet fjalë për të gjetur fajtorë , por për të marrë përgjegjësi e për të bërë zgjidhje. Ja kemi borxh demokrateve bashkimin”, reagon deputetja.

Agron Gjekmarkaj dhe Flutura Açkla vendoswm të japin dorëheqjen nga postet e PD-sw, kurse Dashnor Sula deklaroi se është gati të lërë detyrën e deputetit, nëse nuk ndryshon situata aktuale në PD.

Gjatë mbledhjes, vetëm Flamur Hoxha, Arbi Agalliu dhe Oriola Pampuri ishin në krah të Bashës, ndërsa pjesa tjetër ishin pro dorëheqjes nga posti dhe mbajtjes së zgjedhjeve në parti.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon të mos pranojë humbjen e thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku jo vetëm nuk mundi të marrë asnjë bashki, por u rendit forcë e tretë me më pak vota se koalicioni i Sali Berishës me LSI-në dhe PDK-në.

Zgjedhjet e 6 marsit kishin një vlerë të madhe për elektoratin demokrat, ku pritej të tregohej mbështetja e demokratëve të cilët prej muajsh tashmë janë ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Bashën dhe ata që mbështesin Berishën.

Partia Socialiste arriti të merrte pesë nga gjashtë bashkitë në garë, Vorën, Rrogoshinën, Dibrën, Lushnjën dhe Durrësin, ndërsa koalicioni “Shtëpia e Lirisë” fitoi në Shkodër.

Top Channel