Deputetët e parlamentit të Shqipërisë kanë rënë dakord për të votuar rezolutën që dënon sulmin e ushtrisë ruse në Ukrainë.

Rezoluta e propozuar nga Partia Socialiste u miratua me 123 vota pro. Në shenjë simbolike, disa deputetë kishin veshur bluza që kishin flamurin e Ukrainës dhe Shqipërisë.

Rezoluta mbështet sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës. Kjo rezolutë bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Deputetët e kuvendit mbajtën fjalime në mbështetje të çështjes së Ukrainës.

Rezoluta nxit dhe mbështet veprimtarinë diplomatike dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit global të marrëdhënieve midis shteteve.

Seancën e ndoqi edhe ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov në vendin tonë.

 

Top Channel