Zgjedhjet e pjesshme vendore të mbajtura në 6 bashki të vendit ditën e dielë do t’i japin kandidatëve fitues një vit qëndrimi në postin e kryetarit të Bashkisë, derisa të mbahen zgjedhjet e tjera vendore në rang vendi. PS ka fituar në 5 bashki, kurse “Shtëpia e Lirisë” ka mbajtur Shkodrën.

Në këto zgjedhje, PS ishte përballë dy forcave opozitare, PD dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, në të cilën u përfshi dhe Sali Berisha, por KQZ vendosi të lërë jashtë zgjedhjeve PD-Komisioni i Rithemelimit duke lënë si subjekt zgjedhor vetëm koalicionin LSI e PDK, por pa përjashtuar kandidatët e prezantuar nga ish kryeministri. Deri tani, e vetmja bashki ku PD renditet e dyta është Rrogozhina ndërsa në të tjerat, kandidatët e Shtëpisë së Lirisë pozicionohen në vendin e dytë.

Në të gjashta bashkitë, shifrat e pjesëmarrësve janë më të ulëta krahasuar me ato të një viti më parë, në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit. Votimi u zhvillua normalisht, me përjashtim të disa qendrave, kryesisht në Shkodër, ku nuk u bë i mundur votimi për shkak të motit të keq me dëborë. Procesi i votimit në zgjedhjet e 6 marsit u shoqërua nga një klimë e qetë politike, ndërsa nuk munguan thirrjet ndaj qytetarëve për të marrë pjesë në votime.

Deri tani, PS ka marrë fitoren në katër bashki, ndërsa PD vetëm në bashkinë e Rrogozhinës renditet e dyta. Në të tjerat rezulton e treta pasi vendin e dytë e zënë kandidatët e “Shtëpisë së Lirisë”.

Vora- Pasi nisi procesi i numërimit, bashkia e parë ku u zbulua rezultati ishte Vora, ku mori fitoren kandidati i Partisë Socialiste. Drejtuesi socialist i qarkut Tiranë, Erion Veliaj, fitoren e së majtës në Vorë e cilëson si vlerësim për punën e bërë në këtë bashki. Në vendin e dytë u rendit kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”, Lulzim Vrana dhe në fund, ai i PD, Ymer Marku.

Rrogozhina – Procesi i numërimit të votave ka përfunduar edhe në Rrogozhinë ku fitoren e mori Edison Memolla, i renditur nga Ferdinand Saraçi i PD dhe Hekuran Xhani i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

Lushnje – Kandidatja e PS-së, Eriselda Sefa mori fitoren në bashkinë e Lushnjes me 21,477 vota, ndërsa pas saj u rendit Elton Bano i “Shtëpisë së Lirisë” me 11,238 vota dhe në fund kandidati i PD, Indrit Sefa me 3,809 vota.

Dibër– Nga numërimi i të gjitha kutive në Bashkinë Dibër, ka fituar kandidati i Partisë Socialiste, Rahim Spahiu, i cili mori 13.995 vota. Premtim Kryemadhi i Shtëpisë së Lirisë mori 4478 vota, kandidati i PD-së Luan Haka mori 4437 vota dhe Dritan Torba i LR-es, vetëm 45 vota.

Durrës- Në Bashkinë Durrës nga numërimi i të gjitha kutive (337), kandidatja e PS, Emiriana Sako ka rezultuar fituese me diferencë të thellë përballë 2 kandidatëve nga PD dhe Shtëpia e Lirisë. Emiriana Sako mori 39090 vota, Ardian Muka mori 19844 vota dhe Luan Hoti mori 7928 vota.

Shkodër– Kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Bardh Spahia fiton zgjedhjet në Shkodër. Ai mori 20059 vota, kurse Majlinda Angoni e PS-së mori 18120 vota. Në vend të tretë u radhit Xhemal Bushati, kandidati i PD-së së Lulzim Bashës, i cili mori 7611 vota.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA