Në tregje qytetarët po i blejnë gjithmonë e më shtrenjtë produktet ushqimore.

Çmimet e rritura të karburanteve, energjisë elektrike dhe lëndëve të tjera të para janë disa nga faktorët, por më kryesorja sipas tregtarëve janë efektet nga tregjet ndërkombëtare. Shqipëria është vend që importon shumë mallra dhe ka një deficit të lartë tregtar.

Sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko po planifikohet një ndërhyrje në politikën monetare dhe fiskale për të përballuar situatën

“Kemi një stabilitet makroekonomik, rezerva të mjaftueshme financiare por edhe një sistem financiar mjaft solid.  Me politikën monetare do të reagojmë njëkohësisht edhe me politikën fiskale për të zbutur maksimalisht ndikimin e goditjes së inflacionit nga tregjet ndërkombëtare.”

Panikut të qytetarëve për tu furnizuar me miell dhe produkte të tjera ushqimore, guvernatori i jep këtë përgjigje:

“Nuk ka vend për panik ne marrim një informacion të rënduar psikologjik nga lufta në Ukrainë, por sigurisht që garantoj se kemi një situatë stabël makroekonomike dhe duke presupozuar se skenari i konfliktit do të jetë i lokalizuar nuk parashikojmë një situatë shuam të rënduar ekonomike, por një situatë të menaxhueshme. Do vazhdojmë të kemi rritje ekonomike dhe stabilitet.”

Për çmimet ai shprehet se parashikimet janë ende të zymta:

“Askush nuk parashikon dot saktë në këtë situatë konflikti ekzaktësisht si do të jetë.  Për momentin ne jemi në këtë parashikim që në vitin 2023 do të ketë një stabilizim të inflacionit dhe çmimeve.“

Sipas tij Banka ka parashikuar edhe skenarët më të këqij nga kriza ekonomike, që mund të ishte një ulje ekonomike me  -2% dhe rritje inflacioni.

Top Channel