Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar ditën e sotme vendimin “Për emërtimin e një rruge me emrin “Ukraina e lirë””, në Bllokun e Ambasadave, ku ndodhen edhe Ambasada e Ukrainës, por edhe ajo e Rusisë.
Në mbledhjen e posaçme të Këshillit, ku u votua për emërtimin e kësaj rruge, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se solidariteti i Shqipërisë me popullin ukrainas është edhe më i madh për shkak të përvojës me luftën e Kosovës.
“Është një simbolikë tjetër se s’mund të rrimë duarkryq! Nuk është e rastit që pikërisht në atë rrugë ndodhet edhe ambasada e Rusisë, Serbisë dhe Kosovës! Është e rëndësishme të flasësh me simbole. Ama duhet të flasësh siç duhet, duhet të veprosh siç duhet e të bësh gjestet e duhura për të mirën e njeriut. Është një shenjë simbolike miqësie emri i rrugës Heronjtë e Ukrainës. Në këtë mënyrë, së pari dëshmojmë publikisht mbështetjen dhe së dyti kemi bërë një gjest kuptimplotë, një gjest human,” tha ndër të tjera Veliaj.
Veliaj tha se Republika e Shqipërisë, në vazhdim të politikave të saj mbështetëse ndaj Ukrainës, propozoi një rezolutë të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të dënuar sulmin rus në Ukrainë. Po ashtu, pak ditë më parë, edhe Kryeministri Edi Rama në një bisedë të drejtpërdrejtë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, premtoi ndihmë praktike për popullin e Ukrainës.
“Në këtë situatë, si Kryeqyteti Europian i Rinisë, të frymëzuar nga shumë djem dhe vajza të reja, por edhe plot qytetarë të zakonshëm, kemi vendosur të mos rrimë indiferentë! Prandaj kemi bashkuar forcat në shenjë solidarizimi për të mbledhur dhe për të dërguar sa më shumë ndihma për ukrainasit, pse jo edhe për t’i pritur ata me zemrën e hapur nëse do të jetë nevoja, ashtu si 1500 familje të Tiranës tashmë kanë paraqitur gatishmërinë e tyre për t’u ofruar atyre në të gjitha format miqësinë, por edhe kurajon për të cilën kanë aq shumë nevojë në këto momente. T’i ofrosh këto të dyja është gjithnjë e mundur dhe ne shqiptarët e dimë fare mirë këtë. E kemi provuar nga fare afër me rastin e luftës së Kosovës, se gjeste të tilla bëjnë diferencën në botën ku jetojmë sot,” u shpreh Veliaj.
Ai e mbylli fjalën e tij duke nënvizuar faktin se, “vendi ynë është një oaz shprese, ndoshta jo i pasurive të mëdha apo i salltanetit të madh, por definitivisht i bujarisë edhe një zemre të madhe”.
Fjala e plotë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak:
Përshëndetje e nderuar Kryetare e Këshillit Bashkiak, anëtarë të Këshillit Bashkiak, dhe të dashur qytetarë! Shumë faleminderit që iu përgjigjët kësaj ftese të jashtëzakonshme për shqyrtimin dhe miratimin e relacionit dhe projektvendimit “Për emërtimin e një rruge me emrin “Ukraina e lirë”!
Nisur nga zhvillimet e fundit që po ndodhin në dëm të popullit ukrainas, për shkak të sulmit agresor, të paprovokuar dhe të papërligjur nga ana e qeverisë ruse, në territorin e Ukrainës, Republika e Shqipërisë në vazhdim të politikave të saj, propozoi një rezolutë të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të dënuar sulmin Rus në Ukrainë.
Por jo vetëm, pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama, në një bisedë të drejtpërdrejtë me Presidentin e Ukrainës, Z. Volodymyr Zelenskyy, premtoi gjithashtu ndihmë praktike por edhe simbolike me qëndrime për popullin e Ukrainës!
Në këtë situatë, si Kryeqyteti Evropian i Rinisë, të frymëzuar nga shumë djem dhe vajza të reja, por edhe plot qytetarë të zakonshëm,kemi vendosur të mos rrimë indiferentë!
Prandaj kemi bashkuar forcat në shenjë solidarizimi për të mbledhur dhe për të dërguar sa më shumë ndihma për ukrainasit, pse jo edhe për t’i pritur ata me zemrën e hapur, nëse do të jetë nevoja, ashtu si 1500 familje të Tiranës tashmë kanë paraqitur gatishmërinë e tyre. Për t’u ofruar pra atyre, në të gjitha format, miqësinë por edhe kurajon për të cilën kanë aq shumë nevojë në këto momente.
T’i ofrosh këto të dyja është gjithnjë e mundur…dhe ne shqiptarët e dimë fare mirë këtë. E kemi provuar nga fare afër me rastin e luftës së Kosovës, se gjeste të tilla bëjnë diferencën në botën ku jetojmë sot.
Nuk duam të ndalemi me kaq, dhe nuk kemi për t’u ndalur!
Sot si shenjë solidarizimi në Këshillin Bashkiak ju propozojmë të kalojmë vendimin për emërtimin e rrugës ku ndodhet ambasada e Ukrainës me emrin “Ukraina e Lirë”. Është një simbolikë tjetër, e kanë bërë shumë kryeqytete të tjera në Europë. Ndoshta ne jemi të parët që e kalojmë ligjërisht në Këshill Bashkiak por shumë e kanë nisur këtë iniciativë, një simbolikë që tregon se ne s’mund të rrimë duarkryq!
Nuk është e rastit që pikërisht në atë rrugë ndodhet edhe ambasada e Rusisë, ndodhet gjithashtu edhe ambasada e Serbisë dhe Kosovës! – Dy konflikte, Serbia ndaj Kosovës dhe Rusia ndaj Ukrainës janë pa dyshim dy shenja markuese të të gjithë gjeneratës dhe kujtesës sonë në Europën moderne.
Ama duhet të flasësh siç duhet, duhet të veprosh siç duhet e të bësh gjestet e duhura… për të mirën e njeriut…Ndaj, ne kemi vendosur që me këtë simbol ta japim këtë mesazh dhe këtë gjest, për të mirën e njeriut, duke filluar nga Tirana jonë.
Është një shenjë SIMBOLIKE miqësie: emri i rrugës HERONJTË E UKRAINËS ose “Liria e Ukrainës”. Në këtë mënyrë, së pari dëshmojmë publikisht mbështetjen, dhe së dyti kemi bërë një gjest kuptimplotë, një gjest human do të thoja unë!
Në këtë situatë të ndjeshme nuk mund të rri pa përmendur atë që po ndodh edhe në Serbi!Është dëshpëruese në fakt! Nuk është aspak dinjitoze që një vend të protestojë dhe të mbështesë ndërhyrjen e armatosur të një vendi ndaj një tjetri. Të gjithë ndihemi të fyer tek shohim se ka ende sot vende në Ballkan, madje nga ata që ndoshta kanë avancuar drejt BE-së më shumë se sa ne, që në një moment kritik, pikërisht kur duhet të tregojë vlerat evropiane, të zgjedhin të protestojnë në solidaritet me pushtuesit, me shtypësit, me kundërshtarët e lirisë.
Tirana, edhe këtu do duhet të bëjë kontrast dhe po e bën sërish. Sa na përket, nga sot, nuk do reshtim së bëri thirrje derisa kjo luftë të mbarojë dhe kush ka mundësi qoftë edhe brenda Këshillit Bashkiak për të ndihmuar, është i ftuar të na bashkohet.
Ne kemi nisur një trailer të parë me ndihma cilësore dhe konkrete për në Ukrainë dhe teksa i afrohemi “Ditës së Verës”, duam ta kthejmë jo vetëm këtë periudhë 2-javore në një fushatë, por edhe “Ditën e Verës” në një mënyrë solidariteti ku do të shfrytëzojmë atë dalje publike të njerëzve që karakterizohet në “Ditën e Verës”, edhe me daljen e tyre me një pako apo me diçka që mund ta lënë në çadrat tona, të cilat ne do t’ia përcjellim autoriteteve të Ukrainës në kufirin me Poloninë.
Jam i sigurt që në këtë mënyrë, bota do të na mbajë mend si qytetarë, por në këto ditë të vështira edhe si njerëz që e dinë fare mirë nga kanë ardhur dhe që kanë mësuar nga historia e tyre. Ne kemi ditur të rreshtohemi në anën e drejtë dhe të lavdishme të historisë së botës, ashtu siç bëmë me hebrenjtë dikur, me afganët dje, apo me ukrainasit sot!
Sepse jemi shqiptare, të një djepi nga ku lindi figura e Nënë Terezës, që i shërbeu me dinjitet njerëzve në nevojë, anembanë botës, i shërbeu paqes ndërnjerëzore dhe në finale i shërbeu jetës. Në rrugën e shenjtores ne si Këshill Bashkiak dhe si qytet i Tiranës do të ecim gjithmonë.
Ndaj do të vazhdojmë të dëshmojmë, pa hezitimin më të vogël, se vendi ynë është një oaz shprese, ndoshta jo i pasurive të mëdha apo i salltanetit të madh, por definitivisht i bujarisë edhe një zemre të madhe:
Ndaj ju ftoj të votojmë unanimisht projektvendimin “Për emërtimin e një rruge me emrin “Ukraina e lirë” në qytetin e Tiranës”.
Faleminderit.
Top Channel