Gara brenda të djathtëve! “Shtëpia e Lirisë” e Berishës më shumë vota se Partia Demokratike në 3 bashki

07/03/2022 00:45

Zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit ishin dhe një garë brenda së djathtës, ku garon Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha dhe koalicioni i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Sali Berishës “Shtëpia e Lirisë”.

Zgjedhjet vijnë pas tensioneve disa mujore mes Berishës dhe pasardhësit të tij në PD, Basha. Berisha kërkon të rikonfirmojë mbështetjen e demokratëve.

Zgjedhësit e Vorës, Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Lushnjës e Rrogozhinës votuan sot në zgjedhjet e pjesshme lokale për të caktuar kryetarin e ri të bashkisë.

Në tre nga gjashtë bashkitë, sipas rezultateve të deri tanishme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, koalicioni “Shtëpia e Lirisë” është forcë e dytë.

Në Vorë, ku fitues u zgjodh Blerim Shera nga Partia Socialiste, kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” mori 2.589 vota, ndërsa Ymera Marku nga Partia Demokratike 687 vota.

Në Rrogozhinë, Hekuran Xhani  nga koalicioni “Shtëpia e Lirisë” ka marrë deri më tani 224 vota, ndërsa Ferdinand Saraçi nga PD, 205 vota.

Dhe në bashkinë e Lushnjës, kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” është bindshëm para kandidatit të demokratëve. Elton Bano ka grumbulluar 576 vota, ndërsa Indrit Sefa 158.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA