Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka folur nga Rrogozhina për fitoren e radhës duke thënë se ambicia së bashku me Edion Memollën është të përfundojnë të gjithë rikonstruksionin dhe investimet për infrastrukturën arsimore dhe urbane që ka të bëjë me tërmetin.
Teksa numërimi vazhdon në Durrës, Dibër, Lushnjë dhe Shkodër, PS ka fituar edhe bashkinë Vorë e Lushnje. Në fjalën e tij, Veliaj tha se do i shërbejmë të gjithëve njësoj dhe nuk do të bëjnë asnjë diferencim, edhe për ata që nuk votuan Partinë Socialiste.
Veliaj: Faleminderit për ata që e gdhinë duke na sjellë neve rezultate nga të gjithë qendrat e votimit dhe KZAZ. E vlerësoj shumë punën tuaj dhe ka qenë kyç pavarësisht se kanë qenë vetëm 6 bashki. E çmoj jashtë mase punën që ka bërë secili prej stacioneve mediatike dhe gazetarët që kanë qenë në terren.
Jam shumë i lumtur që bashkia e Rrogozhinës ka votuar në mënyrë masive për PS. Me kandidatin tonë Edison Memollën kemi fituar në Rrogozhinë me mbi 60%, diçka që ishte edhe ambicia jonë për të fituar më shumë se të dy kandidatët e opozitës. Kemi një pafundësi punësh për të bërë në Rrogozhinë, një tjetër zonë e prekur nga tërmeti. Këtë vit do të duhet të përfundojmë të gjithë rikonstruksionin dhe investimet sa i përket infrastrukturës arsimore dhe urbane që ka të bëjë me tërmetin.
E çmojmë jashtë mase besimin tuaj, nuk do ju zhgënjejmë dhe do bëjmë çmos që të kapim çdo afat kur vjen puna për të siguruar që edhe familja e fundit është futur në banesë dhe secila ka marrë hapësirë më dinjitoze se ajo që i prishi tërmeti.
Është edhe zona turistike e Spillesë, ndaj do të doja të ftoja të gjithë, kush mendon se qarku i Tiranës nuk ka det, Rrogozhina të nxjerr në det dhe mezi pres që të përgatitemi për sezonin turistik e këtë vit të rikuperojmë dhe humbjet që kemi pasur nga një sezon turistik më të dobët edhe prej pandemisë. Kemi hapur thirrjet edhe për të gjithë grantet në bujqësi.
Do i shërbejmë të gjithëve njësoj, nuk do të bëjmë asnjë diferencim, kështu që të gjithë ata që nuk na e dhanë besimin kësaj here, e kemi marrë mendimin tuaj ndryshe dhe mezi pres t’ju provoj se nuk do të bëjmë asnjë diferencim. Me fitoren në Vorë dhe Rrogozhinë, besoj se nuk kemi lënë asnjë hapësirë për të menduar se një koalicion apo bashki do të mundte PS, por thelbi është që filozofia ka qenë e atyre që nuk mbjellin sherr, atyre që mendojnë se puna është më e mirë se dhuna, që mendojnë se bashkimi i njerëzve është më i mirë se përçarja, ndaj shpresoj që dhe kolegët e tjerë të lexojnë këtë mesazh.
Top Channel