Sulmi në centralin atomik, Putin: Ishte provokim/ Rusët “shpërthejnë” kundër presidentit

06/03/2022 20:39

Përpjekjet për ta bindur Vladimir Putinin t’i japë fund mësmyjes, vazhdojnë intensivisht.

Presidentit rus i telefonoi edhe shefi i Elizesë, Emmanuel Macron, i cili këmbënguli me forcë të mbyllen sa më parë luftimet dhe të garantohet në mënyrë të veçantë siguria e komplekseve bërthamore, kompromentimi i së cilës nuk do të përbënte rrezik vetëm për Ukrainën por për të gjithë Europën. Putini i është kthyer homologut francez me fjalët: “Rusia do t`i arrijë qëllimet e saj ose me negociata, ose me luftë”.

Sa për incidentin në kompleksin më të madh atomik europian, atë të Zaporizhjas, kreu i shtetit rus e kishte dhe për këtë gati përgjigjen: Ishte një provokim i radikalëve ukrainas, i tha ai homologut francez, teksa Ukraina fajësoi hapur trupat ruse për goditjen krejtësisht të pamatur te kompleksit. Kremlini u përpoq të tregonte se personel rus dhe ukrainas po punojnë së bashku tani për të garantuar sigurinë e centralit, kur sipas tij, nivelet e rrezatimit tashmë janë sërish normale.

Edhe për dështimin e evakuimit të civilëve nga qytetet jugore të Mariupolit dhe Volnovakhas, presidenti rus fajësoi “nacionalistët ukrainas”, të cilët sipas tij, refuzuan t’i lejonin njerëzit që të largoheshin dhe armëpushimin e përkohshëm,  e përdorën vetëm për të forcuar radhët e tyre. Pavarësisht drojës së shpagimit nga ana e autoriteteve, rusët e kanë sfiduar sërish presidentin e tyre me protesta në mbarë vendin. Forcat e rendit ndërhynë egërsisht duke vënë në pranga të paktën 3500 protestues, raporton BBC.

Sipas organizatës për të drejtat e njeriut OVD-Info, 10,946 persona janë arrestuar deri më tani në protestat kundër luftës në Ukrainë, që kur Moska urdhëroi pushtimin e vendit fqinj në 24 shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA