“Jetët e maceve vlejnë”, banderola që i habiti të gjithë në Liverpool-West Ham

05/03/2022 20:39

Një aeroplan që mbante mesazhin “JETËT E MACAVE VLEJNË” u pa duke fluturuar mbi Anfield gjatë pjesës së parë të ndeshjes së Liverpool kundër West Ham mbrëmjen e kësaj të shtune.

Muajin e kaluar, një video e qendërmbrojtësit të Hammers, Kurt Zouma, duke shkelmuar dhe goditur macen e tij, u bë virale në rrjetet sociale, pasi u postua në “Snapchat” nga vëllai i tij, Yoan.

West Ham reagoi duke dënuar veprimet e mbrojtësit, por disa orë më vonë, qendërmbrojtësi luajti që nga minuta e parë në ndeshjen kundër Watford, një vendim i cili solli shumë reagime kundër klubit.

Që atëherë, Zouma ka luajtur në shumë ndeshje si pjesë e formacionit startues të Hammmers, duke përfshirë ndeshjen e muajit të kaluar kundër Newcastle, ku disa tifozë talleshin me mbrojtësin gjatë gjithë kohës, duke mbajtur në duar mace plastike në ngjyrë portokalli.

Ndërsa sot mbi Anfield ka flururuar një avion që përcillte mesazhin që “Jetët e maceve vlejnë”.

Top Channel