Mungesa e bashkëpunimit mes qeverisë së drejtuar nga socialistët dhe bashkiësë Shkodër nga një kryebashkiake demokrate, ka bërë që Shkodra të mos zhvillohet si bashkitë e tjera, sipas kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama.
Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale, Rama u kërkoi shkodranëve të votojnë kandidaten e PS-së Majlinda Angonin.
Sipas tij, nëse Angoni fiton zgjedhjet, do të hapen rruga e bashkëpunimit me qeverinë dhe në këtë mënyrë edhe projekteve të reja për qytetin.
“Na duhet një bashki që i ka dyert e hapura për bashkëpunim, që e do bashkëpunimin. Në 6 mars, qytetarët në të gjashta bashkitë do të zgjedhin për bashki më të pastra. Kemi ardhur këtu që t’i themi Shkodrës që ne jemi gati të bëjmë më të mirën, jemi gati ta pastrojmë Shkodrën nga plehrat që janë kudo. Jemi gati të bëjmë më shumë për Shkodrën në çdo drejtim”.
Partia Demokratike kandidon në Shkodër me Xhemal Bushatim, ndërsa koalicioni “Shtëpia e Lirisë” me Bardh Spahinë. Të dielën, beteja për kryeqendrën e veriut pritet të jetë më e nxehta pasi socialistët kërkojnë të thyejnë bastionin demokrat, ndërkohë që të djathtët garën e kanë brenda llojit.
Top Channel