Ky duhet të ishte një vit rikuperimi për industrinë e udhëtimit, e cila është goditur rëndë nga pandemia globale e koronavirusit, por pushtimi rus i Ukrainës ka ndikuar për keq.
Pas dy vitesh udhëtime të ndërprera për shkak të kufizimeve të Covid-19, linjat ajrore dhe operatorët turistikë po përballen me anulime dhe pasiguri mbi udhëtimet ndërkombëtare.
Më shumë se 30 vende deri më tani kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore ndaj Rusisë, ndërsa Moska ka reaguar në të njëjtën mënyrë. Autoriteti i Aviacionit Civil të Rusisë njoftoi se ka mbyllur hapësirën e tij ajrore për transportuesit e të paktën 37 vendeve që nga e marta, ndërsa hapësira ajrore mbi Ukrainën, Moldavinë dhe pjesë të Bjellorusisë gjithashtu mbetet e mbyllur.
Kto lëvizje kanë shkaktuar anulime fluturimesh ose devijime të rrugëve ajrore. Por pasojat afatgjata për industrinë e udhëtimeve mund të jenë shumë më të mëdha.
Rritja e kostove të karburantit do të rrisë çmimet e udhëtimit
Çmimet globale të naftës së papërpunuar u rritën në më shumë se 110 dollarë për fuçi të mërkurën, pasi investitorët kanë frikë se eksportet ruse të energjisë do të kufizohen ose do të ndalen si rezultat i konfliktit në Ukrainë.
Këto rritje të çmimeve do ta bëjnë çdo lloj udhëtimi më të shtrenjtë. Së bashku me linjat ajrore potencialisht më të gjata që kanë nevojë për më shumë karburant ndërsa shmangin hapësirën e mbyllur ajrore ruse, çmimet më të larta përfundimisht do të duhet t’i kalojnë konsumatorit.
Një rritje e çmimeve mund të çojë në kërkesë më të ulët dhe kjo paraqet një lajm të keq për një industri që tashmë po përpiqet të kompensojë humbjet e lidhura me pandeminë, për të mos përmendur inflacionin.
Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian, e njohur si EASA, ka paralajmëruar për një “rrezik të lartë” për avionët civilë që fluturojnë pranë kufirit ukrainas. Hapësira ajrore mbi Rusinë, Bjellorusinë, Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Moldavinë është gjithashtu në listën e rrezikut.
Për shumë udhëtarë dhe ekuipazh tashmë të trembur nga shqetësimet e koronavirusit, ideja për të fluturuar kudo pranë një zone konflikti mund të jetë e tepërt.
OKB thotë se më shumë se dy milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe priten të largohen deri në katër milionë njerëz në javët e ardhshme nëse konflikti vazhdon. Efektet e një përhapjeje të mundshme të virusit në vendet fqinje mund t’i bëjnë qeveritë të shtrëngojnë kufizimet e Covid-19, gjë që do të mbajë presionin mbi industrinë e udhëtimeve.
Top Channel