Durrësi është një prej 6 qyteteve që do ti drejtohet kutive të votimit këtë të diele.

Për Edi Ramën, deputet i këtij qarku, fitorja krahas aspektit politik, merr një rëndësi të veçantë për të çuar përpara projektin madhor të transformimit të portit të Durrësit.

Ndërsa për Lulzim Bashën, marrja në dorë e qeverisjes lokale në këtë qytet do të qetësonte, sadopak dallgën ku është përfshirë PD.

Sakaq për udhëheqësit e Shtëpisë së Lirë,  Berisha-Kryemadhi banorë të Gjirit të Lalzit por pa pasaportizim në Durrës, fitorja do të ishte një yll me shumë vlerë, në gjerdanin e revolucionit anti-Basha.

Prej 1990-tës e deri më tani  Partia Demokratike në dy mandate ka qeverisur pushtetin lokal në Durrës. Nga viti 2001, të gjithë kryetarët kanë qenë të majtë.

Socialistja Valbona Sako, fituese zgjedhjet e 2019 ku nuk mori pjesë opozita, më 1 dhjetor 2019, vetëm pak dite pas tërmetit që shkatërroi lagje të tera të qytetit dha dorëheqjen e më pas u komandua njëri prej nënkryetarëve, Zhyljen Varfaj. Edhe Varfaj në prill 2020 jep dorëheqjen zyrtarisht për arsye shëndetësore.

Po atë muaj, këshilli bashkiak ia kalon detyrën arkitektes Emiriana Sako, të cilës iu desh të  menaxhojë  të gjithë situatën post tërmet të rindërtimit, sigurisht nën mbështetjen e fortë të qeverisë. Të enjten u përuruan 9 pallate të reja për 230 familje në Manëz. Kryebashkiakja Sako u shoqërua nga numri dy i qeverisë, i cili lajmëroi se në Manëz do të mbaronin shpejt edhe 236 banesa individuale.

Megjithëse qyteti e ka marrë veten nga goditja e rëndë e tërmetit, qytetarët durrsakë ende mendojnë se problemi kryesor i qytetit, është rindërtimi:

“Sa më shpejt të përfundoj rindërtimi”.

“Dua të hyj sa me shpejt në shtëpinë e re”.

“Më shumë pemë dhe hapësira çlodhje në brendësi të qytetit”.

“Pastrimi i plehrave”.

Oferta elektorale e të djathtës për Durrësin janë dy sipërmarrës të njohur.  Lulzim Basha beson se mund ta frenojë qeverisjen 21-vjeçare socialiste me sipërmarrësin Luan Hoti, të cilin e shkëpusim për pak momente nga fushata dhe përgatitja për përmbylljen e fushatës të Premten.

“Kam një plan një plan me këmbë në tokë për ta bërë këtë qytet më të jetueshëm ma të gjelbër ma të pastër dhe çdo vendim pas bashkëbisedimit me qytetarët. Nuk do jem një kryetar bashkie zyre por kryetar bashkie i rrugëve e çdo pune që administrohet nga bashkia”, thotë Hoti.

Pak metra më tutje nga shtatorja e Mujo Uliqinakut është vendosur shtabi elektoral i Shtëpisë së Lirisë, që po përpiqet t’i bëjë rezistencë edhe linjës zyrtare të Lulzim Bashës, edhe qeverisë. Kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Ardian Muka, një tjetër sipërmarrës, e udhëhoqi fushatën elektorale me moton “Shpresë dhe Ndryshim për Durrësin”.

“Në 15 muaj të kemi planin e përgjithshëm vendor, 15 muaj përfundojmë të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me rindërtimin”, thotë Muka.

Kandidatja e PS-së mbështetet nga Dako një film i parë këto 15 vite të fundit. Kandidati tjetër zoti Hoti ka humbur rrugën po udhëton në errësirë.

Kandidatja socialiste thotë se krahas shuarjes të të gjitha plagëve të tërmetit, planet e saj shkojnë edhe më tej:

“Bashkë me qeverinë kemi hapur një kapitull të ri për qytetin e Durrësit me projekte madhore. Marina turistike, porti i ri i mallrave, rehabilitimi dhe hapja e plotë e amfiteatrit, infrastruktura urbane për te ndihmuar turizmin si aset kryesor dhe shtylla kryesore ekonomisë në qytetin tonë”.

Durrësi ka prodhuar gjithmonë gara të forta elektorale. E tillë do të jetë edhe kjo e kësaj të diele. Por a do të munden dy kandidatët e te djathtës ti japin fund qeverisjes sociale 21 vjeçare të këtij qytetit? Kjo do të mësohet të hënën.

Top Channel