“Dosja 664” e “Morava Resort” në gjykatë/ Arben Reli rrezikon 8 vite burg për ndërtim pa leje!

03/03/2022 12:00

Kryeprokurorja e Korçës, Dhorina Theodhori, ka përfunduar hetimet për dosjen 664 të tjetërsimit të “Morava Resort” në “Montrelux”, ku ka faktuar plotësisht se biznesmeni Arben Reli ka ndërtuar pa leje mijëra metra katrorë në malin me të njëjtin emër. Procedimi penal filloi pas investigimit të emisionit “Fiks Fare, në “Top Channel” i cili konstatoi me zë, figurë dhe dokumente këto ndërtime.

Gazeta “Shqip”, duke ju referuar dosjes hetimore të Prokurorisë së Korçës, bëhet me dije se deri më tani janë faktuar dy akuza: ndërtim pa leje dhe prerje pyjesh. Ndërkohë, vijojnë hetimet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre!

Në këtë akt-akuzë shkruhet e zeza mbi të bardhë se “nga aktet e administruara në materialin kallëzues rezulton se në datën 8 korrik 2020, tek televizioni kombëtar ‘Top Channel’, emisioni investigativ ‘Fiks Fare’ është publikuar një rast abuzimi sipas tyre në ngarkim të shtetasit Arben Reli, ndërtues i cili ka ndërtuar tek kompleksi ‘Morava’ apo ‘Montrelux’ shtesa pa leje përkatëse”. Pas marrjes dijeni për këtë rast, – shkruan Prokuroria e Korçës, – nga ana e organit të akuzës janë kryer një sërë veprimesh paraprake hetimore.

“Kështu, pasi u shkua tek kompleksi ‘Morava’ apo ‘Montrelux’ është dokumentuar këqyrja e vendit objekt hetimi. Nga këqyrja rezulton se në të ka pasur punime të freskëta ndërtimore, shtesa, magazinë vendosje impiant gazi, prerje të pishave dhe sipër tyre hedhje betoni” janë disa pasazhe nga aktet e dosjes 664.

Më tej, organi i prokurorisë shkruan se u konstatua edhe hapje rrugësh si edhe mur në distancë të konsiderueshme. “Në këtë vend janë konstatuar edhe skela metalike, të cilat janë vendosur për të punuar, skara hekuri etj” shkruan Prokuroria e Korçës.

Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Korçës janë ndalur te emri përgjegjës: Arben Reli!

Ai është marrë i pandehur dhe i janë komunikuar dy akuza “ndërtim pa leje” dhe “prerje e paligjshme e pyjeve”.

Por, ja se çfarë parashikon akuza e parë, ajo e ndërtimit pa leje, neni 199/a i Kodit Penal, në pikën 3: Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda apo e kryer për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Pra, plot 8 vjet burg rrezikon Arben Reli nga kjo akuzë, i cili ka ndërtuar totalisht për qëllim fitimi. Provat janë në dosjen voluminoze të Prokurorisë së Korçës, të cilat kanë shkuar në gjykatë. Apo edhe online, ku gjithkush mund të kërkojë në internet për masakrën në Malin e Moravës.

Sipas akteve të dosjes, akuza e dytë që rëndon ndaj Arben Relit është “prerja e paligjshme e pyjeve”, e parashikuar nga neni 205 i Kodit Penal. Ja se çfarë parashikon kjo vepër penale: Prerja apo dëmtimi i pyjeve pa leje apo në kohë dhe vende të ndaluara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Akuza penale që parashikojnë burg.

Por, nëse do t’i shtosh edhe dënimet apo procedimet penale të hapura nga akuzat e tjera, atëherë do të konstatojmë se Arben Reli është i rrezikshëm. Me precedentë penalë, por që deri më sot ka mundur që t’i shpëtojë burgut.

Më herët, në disa investigime, gazeta “Shqip” faktoi se ai mbrohet me fanatizëm nga një bandë të njerëzve që janë dhe kanë qenë më drejtësi. Duke filluar nga Theodhori Sollaku, ish-kryeprokuror, te gjyqtari Bedri Qori, te ish-gjyqtari Ervin Metalla apo ish-prokurorja Antoneta Sevdari. Dy të fundit janë shkarkuar nga Vetingu si të papërshtatshëm, ndërkohë për anëtarët e tjerë të kësaj bande ka kallëzime penale dhe ankesa në Ambasadën Amerikane në Tiranë. /Marrë nga Shqip/

Top Channel