Kryeministri Edi Rama ka një përgjigje për të gjithë kritikët e qeverisë shqiptare, të cilët kanë thënë se nuk është dhënë asnjë ndihmë konkrete për Ukrainën.

Ai theksoi se nuk ka shprehur gatishmërinë për t’u dukur e aq më pak për t’u përballur me “gratanongratat” e Tiranës, duke nënkuptuar ish-kreun e PD-së i shpallur ‘non grata’ nga SHBA-ja.

“Disa politikanë e analistë mbrojnë Ukrainën për të sulmuar qeverinë, që sipas tyre nuk ka dhënë asnjë ndihmë konkrete! Jo vetëm e kemi dhënë, po e kemi dhënë ndër të parët. Por nuk e kemi dhënë për t’u dukur këtu në Tiranë dhe aq më pak për të luftuar me gratanongratat e Tiranës! Jam shumë krenar që pavarësisht se vend i vogël mes të mëdhenjve të botës kemi ditur të dëgjohemi me respekt në mbështetje të Ukrainës në OKB,kemi ditur të shikohemi me respekt në NATO,kemi ditur të trajtohemi me respekt nga SHBA dhe i jemi gjendur me shumë respekt Ukrainës”, shkruan Rama.

Më parë ish-kryeministri Sali Berisha nga Dibra kritikoi qeverinë në lidhje me Ukrainën.

Edi Rama ka edhe një fytyrë tjetër më të zezë, apo të zezë sa të parën dhe ky është qëndrimi i tij ndaj çështjes kombëtare. Ju e shihni, një luftë në zemër të Europës po përhapet çdo ditë. Diktatori gjakatar rus ka sulmuar një vend të pavarur dhe të lirë dhe kërcënon Europën dhe Botën. Tre javë më parë nga Uashingtoni na tha se ai nuk është armiku ynë. I them nga ky shesh se në të gjithë ndjehemi sot ukrainas. Ne shprehim solidaritetin tonë më të madh, burrave dhe grave të atij vendi që po luftojnë me një armik gjakatar, një diktator gjakësor, për lirinë dhe dinjitetin e tyre. Po në këtë kuadër, “Ballkani i Hapur” është fund e krye një nismë antishqiptare, është vendosje e hegjemonisë serbe në rajon dhe hapje për influencën ruse nëBallkanin Perëndimor. Është nismë që Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama kanë rrethuar Kosovën dhe kërkojnë t’ia vështirësojnë asaj çdo ditë e më shumë jetën“, mësohet të ketë thënë Berisha.

Kujtojmë se Shqipëria ishte një ndër vendet e para që shprehu solidarizimin dhe mbështetjen për popullin ukrainas, pas sulmit rus.

Ndërkohë është përgatitur një projekt-rezolutë që pritet të miratohet në Kuvend, pas dakordësimit të të gjitha Grupeve Parlamentare në vend.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,  Taulant Balla ua dorëzoi një ditë më parë kryetarëve të Grupeve Parlamentare të Partisë Demokratike, të “Aleancës për Ndryshim” dhe të “Demokraci dhe Integrim”, ku shprehet mbështetja e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe Mbrojtja e Parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Sigurisë Evropiane”.

Top Channel