NATO gati për luftë: Si janë pozicionuar trupat e aleancës në krahun lindor!

02/03/2022 17:09

Ndonëse është zotuar të mos dërgojë ushtarë në Ukrainë, për të shmangur siç thotë një “luftë për ekzistencë”, NATO ka grumbulluar një nivel të madh trupash në lindje të Europës, në përpjekje për të forcuar më tej të gjithë rajonin.

Mijëra forca të mbështetura nga ajri e deti, janë dërguar të mbrojnë vendet aleate pranë Rusisë dhe Ukrainës. Përmasat e grupeve luftarake të NATO-s në Lituani, Letoni dhe Estoni që dikur sundoheshin nga Moska por sot janë pjesë e Bashkimit Europian, thuajse janë dyfishuar që nga fillimi i vitit, e radhët e tyre, pritet te shtohen akoma dhe më shumë.

Këto ditët e fundit, trupa britanike kanë zbarkuar në Estoni, ushtarë norvegjezë mbërritën në Lituani dhe Franca nisi njësitë elitë.

Shtetet e Bashkuara së fundi e shtuan praninë e tyre me 5.000 trupa shtesë në Poloni dhe Rumani. Është përgjegjësi e NATO-s të garantojë që konflikti i Ukrainës të mos dalë jashtë kontrollit duke u kthyer në një konfrontim të plotë mes NATO-s dhe Rusisë në Europë, tha kreu i aleancës, Jens Stoltenberg; por ne jemi në gadishmëri te plote, shtoi ai.

Lëvizja më e fundit e NATO-s ishte krijimi i një grupi beteje në Sllovaki me 1.500 trupa speciale, shumica e të cilave janë trupa të huaja, si dhe sisteme të mbrojtjes raketore Patriot, qe manovrohen nga personal gjerman dhe holandez. Trupat gjermane përbëjnë gati gjysmën e një grupi lufte të NATO-s në Lituani, ku ka edhe ushtarë nga Belgjika, Republika Ceke e Luksemburgu.

Britania e Madhe sakaq ka dërguar edhe dy fregata dhe një destrojer për stërvitjet e NATO-s me helikopterë Merlin dhe avionë të patrullimit detar RAF P8 Poseidon në Mesdheun lindor.

Top Channel